Deçani i jep kryebashkiakut Basha, medaljen e artë “Shkëlzen Haradinaj”
Pas titullit “Qytetar Nderi i Prishtinës”, kryebashkiaku Lulzim Basha është nderuar edhe me medaljen e artë që mban emrin e heroit të Kosovës “Shkëlzen Haradinaj”. Ky nderim i është bërë kreut të Bashkisë së Tiranës, pikërisht në kullën e Haradinajve, në Gllogjan të Deçanit. Kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, bashkë me Bacë Hilmi Haradinaj nderuan kryebashkiakun Basha, për kontributin e tij për Kosovën.“Ju falënderoj pa masë për këtë nder të veçantë. Ashtu siç e përmendi edhe z. Ambasador, sakrifica e familjes Haradinaj përbën një shembull frymëzimi për çdo shqiptar, do të vazhdojë të përbëjë një shembull frymëzimi për çdo të ri. Ajo shtrihet në disa shtresa, sakrifica sublime e Shkëlzen dhe Luan Haradinaj, në rolin e jashtëzakonshëm që Ramushi ka luajtur në periudhën e pasluftës për konsolidimin dhe hedhjen e themeleve të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, në betejën vigane që ai bëri kundër paragjykimeve, padrejtësive që mundoheshin të vinin shenjën e barazimit midis kasapëve dhe xhelatëve të Ballkanit e luftëtarëve të lirisë, kthimin me nder me anë të së cilit na ngriti kokën të gjithë shqiptarëve dhe vulosi përgjithmonë faqen e historisë së botës, karakterin e drejtë të kësaj lufte e pa dyshim kontributi i tij vazhdon edhe sot dhe do vazhdojë edhe në të ardhmen. Unë jam shumë krenar dhe shumë fatlum që më jepni mundësinë që të mbaj këtë çmim me emrin e madh të Haradinajve” – u shpreh Basha.Hilmi Haradinaj, babai i dy heronjve të Kosovës, Luanit e Shkëlzenit, që u vranë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës dhe i ish – kryeministri, njëherësh kryetar i AAK, Ramush Haradinaj i ka shprehur zotit Basha, mirënjohjen për kontributin e tij dhe të kryeministrit Berisha për Kosovën.“U jam mirënjohës si familje, për ndihmën që keni dhënë ju dhe Kryeministri Sali Berisha. Për ne, është një nder që as nuk guxon më u harru e as nuk guxon me u shu kurrë” - u shpreh Hilmi Haradinaj.Nga ana e tij, z. Basha theksoi: “Faleminderit Baca Hilmi ! Asgjë përveç detyrës së një shqiptari nuk kam bërë. Nderi dhe përulja me respekt është ndaj veprës suaj, familjes suaj, qëndresës që ju përfaqësoni dhe punës së mirë që jam i sigurt se Ramushi dhe gjithë djemtë e kësaj vatre do vazhdojnë të bëjnë për Kosovën”Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka vendosur kurora me lule dhe është përkulur me nderim dhe respekt, para sakrificës sublime të heronjve të Kosovës që prehen në varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.“Nder mbi nder është për mua të jem këtu, në gjirin tuaj, në mesin tuaj dhe të ndaj me ju krenarinë, siç ndaj me ju dhe më të gjithë shqiptarët, të njëjtin gjak e të njëjtën histori! Ndajmë krenarinë për sakrificën sublime të Haradinajve, luftëtarëve, komandantëve të UÇK, këtu në Rrafshin e Dukagjinit, anembanë Kosovës të cilët bënë të mundur që ne sot të festojmë këto ditë me një Kosovë të pavarur, të lirë dhe të shikojmë me besim përpara drejt një të ardhmeje më të mirë për qytetarët tanë, për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë“ – u shpreh z. BashaKryebashkiaku Lulzim Basha është ndalur edhe në Prekaz, ku ka bërë homazhe në varrin e heroit legjendar të Kosovës Adem Jashari dhe familjes Jashari, të cilët me flijimin e tyre, siç u shpreh kryebashkiaku Basha, shënuan kthesën e madhe në historinë e kombit tonë.Vizita e kryebashkiakut Basha në Kosovë nisi me homazhet pranë varrit të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, siç e cilësoi z. Basha, presidentit Ibrahim Rugova. Homazhet u pasuan me një vizitë në familjen Rugova. Në 14 vjetorin e çlirimit të Prishtinës, zoti Basha zhvilloi homazhe në varrezat e Dëshmorëve si dhe te busti i dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti.