PDIU fushatë në Tropojë, Idrizi nderohet me titullin “Qytetar Nderi”

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet vijoi takimet elektorale në rrethin e Tropojës. Përpara takimit me mijëra mbështetës të PDIU-së në Bajram Curri, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi u prit nga kryetari i bashkisë së Bajram Currit, Agron Demushi, i cili i akordoi titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin “për kontributin e tij të veçantë në çështjen kombëtare dhe në përballimin e situatës së jashtëzakonshme të vitit 2012”.Idrizi falenderoi Bashkinë e Bajram Currit dhe të gjithë qytetarët e këtij qyteti, për nderin e madh që i bënë dhe u zotua se do të vijojë të jetë në krah të banorëve të Tropojës. Ai deklaroi se është i emocionuar nga ky nderim, aq më tepër që vjen nga një krahinë që e ka vuajtur ndarjen e kombit shqiptar, për shkak të lidhjeve natyrore me trevat kombëtare jashtë kufijve.Më pas, Idrizi u prit nga mijra mbështetës të PDIU-së në Bajram Curri, ku kërkoi votën e të gjithë shqiptarëve patriotë për të çuar përpara kauzat e mëdha të kombit. Ai theksoi se patriotizmi është një domosdoshmëri për mirëfunksionimin e shtetit shqiptar dhe tha se të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen duhet të mbështesin çështjen çame, si çështja më e paprekur e çështjes kombëtare.“Në katër vjet ne arritëm ta trimëronim politikën shqiptare. Ju bëj thirrje të votoni numrin 50, të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të votoni patriotizmin në parlamentin shqiptar. ne kemi një program të plotë dhe të qartë. Së pari për zgjidhjen e çështjes çame, të një çështje që është sa e shqiptarëve të Çamërisë aq edhe e shqiptarëve të Tropojës e shqiptarëve kudo që jetojnë. Ne nuk mund që të heshtim më përballë padrejtësive të historisë, por duhet të dalim në ballë të betejës për të kërkuar drejtësi dhe reciprocitet” - deklaroi Idrizi.Ai vendosi theksin në disa pika programore të PDIU-së, sidomos për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe Komunuellthit Ekonomik.“Ne mendojmë se shoqëria dhe ekonomia shqiptare duhet të kenë një zhvillim të qëndrueshëm dhe ju e dini më mirë se kushdo që kjo nuk bëhet pa pasur lidhjet historike me ekonominë e Kosovës e të çdo treve shqiptare. Nuk mund të kërkojmë rritje ekonomike pa ndryshuar strukturën, pa bashkuar ekonominë e trevave shqiptare, në mënyrë që njëkohësisht të rrisim unitetin e kombit tonë dhe të rrisim edhe tregjet. Shteti shqiptar në këto vite nuk ka shfrytëzuar mundësitë dhe Tropoja është shembulli për këtë. A më thoni një vend tjetër në Ballkan që mund të zhvillojë turizmin malor më mirë sesa Alpet Shqiptare? Jua them me bindje se nuk ka. Por, për këtë duhen investime, duhet një ekonomi e studiuar, duhet bashkërendimi i fuqive me shqiptarët e Kosovës, vetëm pak kilometra më tutje, duhet një menaxhim i ekonomisë që sheh kombin më të gjitha. Ndaj, ne themi me krenari “Unë e dua Shqipërinë të Bashkuar” për shumë më shumë arsye sesa të tjerët mund të mendojnë” – deklaroi Idrizi.PDIU konkuron në Qarkun e Kukësit me katër kandidatë, aq sa janë edhe deputetët e mundshëm në këtë qark. Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, PDIU doli forca e dytë në Bajram Curri.