Akuza për shkarkimin e punonjësve, QEZHEF padit për shpifje PS

Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve ka kallëzuar penalisht për shpifje Partinë Socialiste. Ky kallëzim penal erdhi pas akuzave që i janë bërë kësaj drejtorie, për shkarkim nga detyra të dy punonjësve të këtij institucioni, pasi siç thotë PS, nuk kanë pranuar të marrin pjesë në mitingje elektorale.Në një deklaratë për mediat, QEZHEF sqaron se asnjë punonjës i saj nuk është larguar nga puna apo ka marrë masë disiplinore, nisur nga bindjet politike, por gjithmone bazuar në ligjet në fuqi dhe në kodin e punës. Në asnjë rast, punonjësit e QEZHEF nuk janë detyruar dhe aq më pak kërcënuar, për të marrë pjesë në mitingje elektorale.“Çdo punonjës i Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve ka vetëm një mision, t’u shërbejë sa më mirë fëmijëve të kryeqytetit. Kjo dhe vetëm kjo është njësia e vlerësimit për punën e tyre” thuhet në deklaratë.Drejtoria e Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijeve thekson se është e vendosur të punojë pa ndërprerje, për rritjen e shërbimit profesional dhe shkencor, në mirrëritjen dhe edukimin e fëmijëve të Tiranës, duke iu përafruar gjithmonë e më shumë standardeve evropiane.“Kërkesat e prindërve gjithnjë e në rritje për frekuentimin e çerdheve tona e tregojnë më së miri këtë fakt.Trillimi i përhapur nga Partia Socialiste, do të marrë përgjigjjen e duhur nga organet kompetente” përfundon deklarata.