Berisha: Platforma e Ramës për heqjen e TVSH-së do rrënojë fermat

Kryeministri Berisha ka prezantuar sot në Vaun e Dejës, kandidatët për deputetë të PD-së për qarkun e Shkodrës.Në fjalën e tij, kryeministri Berisha sulmoi sërish programin e PS-së ndërsa duke iu referuar premtimeve të kryesocialistit Rama se do të heqë TVSH-për 5 ushqimet bazë, theksoi se kjo platformë e PS-së do të shkatërrojë fermerët.“Platforma që paraqet shoku i autobusit për fermerët shqiptarë është një kob i vërtetë për fermat e tyre. Ai premton që lumenjtë e djersës që keni derdhur, fermat t’jua falimentojë duke hequr taksën për vezën, qumështin, bukën. Kjo do të thotë se vezët në Shqiëpri nuk kanë pse të shiten, sepse do të vijnë gjemitë me vezë nga vende të tjera që i prodhojnë me kosto më të ulët dhe mund t’i sheshin me po ato çmime. Premtimi ynë është ky, mbrojtja juaj. Ne do tu mbrojmë ju dhe jo të cënojmë mundin dhe djersën e familjeve që jetojnë në fshat” tha Berisha.Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha gjithashtu u bëri apel banorëve të Vaut të Dejës të votojnë Partinë Demokratike për t`I dhënë të djathtëve mandatin e tetë në qarkun e Shkodrës.“Ne po ecim drejt zgjedhjeve dhe mbarë Shqipëria pret nga ju mandatin e tetë, mandatin e artë, mandatin e fitores tonë të thellë dhe të merituar. Ju këto vite firmosët anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, lëvizjen e lirë në mbarë Europën, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Patë se si ndryshoi Shqipëria. Rruga jonë nuk ka qenë bulevard dhe ende nuk do të jetë bulevard, por është një rrugë që çon drejt një ngjitje të sigurt, na çon drejt integrimit në BE, drejt mirëqënies, punësimit dhe zhvillimit. Ju ftoj që në 23 qershor të votojmë të gjithë së bashku 44, Partinë Demokratike. Të votojmë për integrimin tonë në Europë, të votojmë për punësimin e qytetarëve. Të votojmë për zhvllimin e Vaut të Dejës dhe Shkodrës së zhvilluar, të votojmë 44 për të ardhmen që ju meritoni” tha kryeministri Berisha.