Arrestimi i ish-anëtarëve të UÇK-së, SHBA:Mos ndërhyni tek drejtësia

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar ndaj arrestimit të ish luftëtarëve të UÇK-së duke kërkuar që dhe qeveria e Kosovës të përmbahet."Ne vërejmë se akuzat aktuale nuk janë kundër UÇK-së në tërësi, por kundër individëve, për krime që pretendohet se janë kryer ndaj viktimave etnike serbe dhe shqiptare. Apelojmë në opinionin publik dhe në institucionet në Kosovë që të përmbahen nga ndërhyrja në një proces të pavarur gjyqësor dhe ta lënë këtë rast që të vazhdojë sipas sundimit të ligjit, për të cilin luftuan aq shumë njerëz",  thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane të Kosovës.SHBA ua kanë tërhequr vërejtjen qeverisë, Kuvendit dhe politikanëve të tjerë që të mos ndërhyjnë në drejtësi.Ambasada amerikanë në Kosovë ka thënë se njerëzit në Kosove me të drejtë janë krenarë për luftën dhe se hetimet për krime të luftës nuk po bëhen kundër UÇK-së, por kundër disa individëve të dyshuar për krime lufte.Ditë më parë Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, vendosi masën e arrestit prej 30 ditësh për shtatë persona të dyshuar për përfshirje në krime lufte.  Në mesin e të arrestuarve janë ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi, i njohur me emrin e luftës Sulltani, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë dhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish komandant i zonës së parë të ish UÇK-së.