Jahjaga ftohet në samitin në Sllovaki
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është ftuar në Samitin e shefave të shteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore që do të mbahet në Sllovaki.Ftesa nga presidenti i Sllovakisë Ivan Gasparovic ka mbërritur në Prishtinë, ka bërë të ditur këshilltarja e Presidentes për politikë të Jashtme, Garentina Kraja.“Presidentja Jahjaga do të merr pjesë në samit dhe do të ketë trajtim të barabartë me presidentët e 21 shteteve dhe në të do të flasë për zgjidhjen e sfidave me të cilën ndodhet kjo pjesë e Evropës”, tha Kraja.Në kabinetin e presidentes Jahjaga vlerësojnë se ftesa, pavarësisht që Sllovakia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, flet për pranimin e realitetit të ekzistimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.Në Samitin që do të mbahet më 12 dhe 13 qershor, përveç 21 presidentëve të shteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore do të marrin pjesë edhe liderë të shteteve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare.