KS shqyrton raportin e Ban Ki Moonit për Kosovën
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë gjatë këtij muaji raportin më të ri të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-Moon lidhur me zhvillimet në Kosovë, ku ai mirëpret marrëveshjen e parë për normalizim të marrëdhënieve, që u arrit më 19 prill në dialogun e ndihmuar nga Bashkimi Evropian.Në takimin e Këshillit të Sigurimit pritet të marrë pjesë edhe delegacioni i Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Hashim Thaçi.Kjo është një arritje historike, shkruan sekretari i përgjithshëm i OKB dhe përgëzon udhëheqjen politike në Prishtinë dhe Beograd të cilët thotë se treguan durim, largpamësi politike dhe udhëheqjen e duhur për të bërë të mundur një përparim të vërtetë."Rezultatet e arritura në dialog hapin rrugën për normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës", thekson Ban Ki Moon.Ai thotë se një frymë e njëjtë kompromisi, vendosmërie dhe vullneti të mirë duhet të mbizotërojë edhe në zbatimin marrëveshjes… zbatimin e saj praktik në të dyja anët e lumit Ibër.Ndërkohë Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi nga fillimi i javës së ardhshme fillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara me takime të nivelit të lartë në Washington, pastaj në shtetin Lowa, partner ushtarak i Kosovës për ta përfunduar atë me pjesëmarrjen në seancën për Kosovën në Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York.