Bruksel, bisedimet për kornizën ligjore vazhdojnë nesër
Takimi i sotëm në kuadër të dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve, ka përfunduar në orët e pasdites në Bruksel, për të vazhduar nesër.Në rend të ditës kanë qenë policia dhe gjyqësia, por pjesëmarrësit e takimit nuk kanë bërë deklarata. Aktualisht, Prishtina zyrtare thotë se nuk dihet se sa ligje do të mund të implikonte zbatimi i marrëveshjes, ndërsa në Beograd thonë se Kosova do të detyrohet të ndryshojë shumë ligje.Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi thotë se ende nuk dihet numri i saktë i këtyre ligjeve. Por, sipas tij, Kosova ka ligje tejet fleksibile të cilat mund të jenë të zbatueshme edhe në rastin e implementimit të marrëveshjes.Ndërkohë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se grupi punues do të jetë ai i cili do të identifikojë ligjet për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Sipas tij, Kosova është ajo që do të duhet të ndryshojë shumicën e ligjeve për të zbatuar këtë marrëveshje. Sa i përket Serbisë, ai ka thënë se baza ligjore e zbatimit të marrëveshjes do të vendoset me miratimin e ligjit kushtetues.Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë bashkë me planin e zbatimit, pritet të dalë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.Si rezultat i marrëveshjes së Brukselit, pritet të themelohet dhe bashkësia e komunave serbe, kompetencat e kësaj bashkësie thuhet se kërkojnë ndryshime në kornizën ligjore të Kosovës.