Lame në Berat: PS do sjellë ndryshimin pas 23 qershorit
Kandidati i majtë për deputet, Artan Lame, zhvilloi takim me banorët e lagjes "Kinokulb " në Berat. Z. Lame ka akuzuar të djathtët për mosmbajtjen e shumë premtimeve. Takimi i rradhës nga kandidatët e majtë për deputet në Berat është zhvilluar në lagjen "Kinoklub" të këtij qyteti ku z. Artan Lame u ka bërë të ditur të pranishmëve se pas fitores në 23-qershor, të majtët e dinë shumë mirë atë që duhet bërë ndryshe gjë që nuk arriti ta bënte në këta vjet Sali Berisha.I shoqëruar nga kryetari i bashkisë,Fadil Nasufi, nga kryetari i PS në Berat, Selman Hodo si dhe përkrahës të tjerë të majtë, Lame ka thënë se aktualisht nuk bëhet fjalë për buxhet të shtetit, por për buxhet personal të Sali Berishës dhe se ky i fundit me një laps të kuq në dorë në zyrën e tij nuk i jep asnjë fond Bashkive që udhëhiqen nga të majtët.Z. Lame ka folur më pas për ndërtimin e rrugëve që lidhin qytetin e Beratit me pjesën tjetër të vendit duke e cilësuar si një detyre absolute të punës së tyre. Ndërsa ka cilësuar si një gërvishtje toke disa punime që kanë filluar në segmentin Lushnje-Berat, gjë që tregon fare qartë faktin se sa nevojë emergjente ka gjithë krahina për këtë segment rrugor.Në këtë linjë ka qenë edhe kryetari i Bashkisë, duke kujtuar edhe njëherë mungesën dhe tkurrjen e fondeve nga qeveria qendrore në këtë institucion dhe se për këtë arsye në administratën e bashkisë janë hequr 17 persona. Më pas, fjalën e kanë marrë të pranishmit duke shprehur shqetësimet e tyre teksa kanë deklaruar dhe mbështetjen për Partinë Socialiste në zgjedhje.