Basha: Të vetmit që pezmatohen nga investimet e Bashkisë është Rama

Me një investim prej rreth 57.8 milionë lekësh, ka nisur rikualifikimi urban i bllokut “Sadik Petrela”, në njësinë bashkiake nr. 3, me një sipërfaqe rreth 5 ha.Në këtë bllok banimi parashikohen rreth 3250 m2 sipërfaqe rrugë me asfalt, trotuare, ndërtimi i sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha, ndriçimi rrugor,  spostim i linjave elektrike dhe telefonike dhe spostim i kabinës elektrike. Projekti parashikon dhe rehabilitimin e kanalit të ujërave të zeza, i cili prej vitesh është një vatër infeksioni për banorët, ndërsa muret rrethuese të shtëpive do të zëvendësohen me kangjella.“Sot fillon rikualifikimi urban i një blloku shumë të madh prej 5 ha, 50 mijë metra katrorë. Quhet blloku “Sadik Petrela” dhe është një bllok i cili në tërësi përbëhet nga shtëpi të reja por ka edhe shumë shtëpi të vjetra, 17  apo 27 vjeçare por ku nuk ka pasur asnjëherë investim në infrastrukturë. Këtu, para disa muajsh, ne nisëm punën  për ndërtimin e kanalit dhe kolektorit, punë e cila siç po shikoni po ecën me ritme të shpejta. Shtrirja e punimeve në të gjithë bllokun do të thotë kanalizime të ujërave të zeza, të ujërave të shiut (siç po bëhet këtu pas nesh), mbulimi i një tjetër kanali paralel me këtë kanal të “Dalip Topit” dhe krijimi i një rruge mbi atë kanal, 50 metra paralel me këtë kanal, pra brenda në lagje, asfaltim, trotuare, ndriçim, gjelbërim dhe aty ku do të zhvendosen oborret e shtëpive për të bërë të mundur këtë zhvillim, rindërtim të këtyre oborreve me fondet e Bashkisë së Tiranës, me kangjella dhe me modelin me gurë që tashmë është aplikuar edhe në pjesë të tjera të kësaj njësie bashkiake dhe Tiranës”  u shpreh  Basha.Ky investim i Bashkisë së Tiranës, i munguar prej vitesh është mirëpritur nga banorët, të cilët ishin të detyruar të jetonin mes baltës, pluhurit dhe ujërave të zeza. Sipas Kryebashkiakut Basha, të vetmit që nuk u gëzohen punimeve të Bashkisë janë disa prej kandidatëve për deputet të PS.“Shoh me kënaqësi, që banorët sigurisht e presin këtë investim, është një investim për ta, për jetën e tyre, është një detyrim që ne kryejmë si Bashki e Tiranës. Shpresoj që investimi të mos pezmatojë njeri, siç ka ndodhur rëndom këto javë. Kemi qytetarë të Tiranës që pezmatohen nga investimet e Bashkisë së Tiranës, në funksion të garës elektorale por ata pak janë, janë nja 14 qytetarë, (madje as 14 jo). Ne do të vazhdojmë me punimet tona. Asgjë nuk mund të na pengojë dhe as të na kthejë pas, madje as fryma aspak konstruktive që ish-kryetari po aplikon në raport me investimet e Tiranës. Jemi të vendosur t’u shërbejmë qytetarëve dhe do e bëjmë këtë pa asnjë dallim politik, pasi qytetarët e meritojnë, e kanë merituar prej kohësh, u ka munguar e tashmë ne do ua japim këtë standard jetese”  theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.