Berisha: Do vijojmë uljen e mëtejshme të taksave

Kryeministri Berisha ka inaguruar sot nisjen e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Qerret –Karpen në komunën Golem të Kavajës.Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se falë uljes së taksave u bë e mundur rritja e bizneseve në vend si dhe u trefishuan eksportet."Në këto vite kemi ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë por kemi ende punë për të bërë dhe do të ndërtojmë të gjitha rrugët e vendit. Zotimi ynë është aty ku ju jetoni do keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve. Këto vite ne sëbashku ia dolëm të anëtarësohemi në NATO, ia dolëm të ndërtojmë një infrastrukturë moderne, ia dolëm të rrisim rrogat dhe pensionet, ia dolëm që turizmi të rritet 13-14 herë, ia dolëm sëbashku të financojmë 45 mijë projekte në fshatrat e Shqipërisë” tha Berisha.Kryeministri u zotua se shumë shpejt do të nisë puna për ujësjellësin e Qerretit si dhe do të asfaltohen të gjitha rrugët në çdo skaj të Kavajës në katër vitet që do të vijnë.Kreu qeverisë premtoi sërish marrjen e statusit pasi sipas tij integrimi i Shqipërisë në BE, bën të mundur që fermerët e Shqipërisë, të përfitojnë qindra milion euro subvencione nga BE."Kjo është rruga e zhvillimit ndaj dhe ne ju ftojmë, që më 23 qershor, të votoni së bashku 44, votoni PD për interesat tuaja më të rëndësishme, për zhvillimin fermave tuaja dhe zhvillimin e turizmit. Ju jap fjalën, se më këta kandidatë, do të shndërrojmë në realitet çdo projekt për fshatrat dhe komunat tuaja”, tha Berisha.