Një vit ende pa shtëpi, banorët e "5 Majit" protestojnë para Bashkisë: Veliaj nuk mbajti premtimin

Banorët e njësive 4 dhe 8 në Tiranë, banesat e të cilëve u prishën nga Bashkia një vit më parë ende nuk janë të qartë se kur do t`i marrin shtëpitë e reja.

Të enjten ata protestuan para Bashkisë dhe i kujtuan drejtuesve premtimet e pambajtura.

"Në dokumenta nuk ka të përcaktuar sa kohë e merr bonusin, sa kohë do rrish jashtë, kur do ta marrë shtëpinë. Këtë kemi kërkuar."

"Ne asnjëherë nuk kemi kundërshtuar projektin por kemi thënë se ku do ti marrin pronat këta banorë, ku do të srtrehohen dhe ku do të shkojnë."

Disa kanë përfituar bonus qiraje por ai nuk u mjafton pasi çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm.

"Bonusi i qirasë përcaktohej me 180 mijë lekë të vjetra që sot  te "5 Maji" që e kam e qira është 300 mijë lekë."

Ka edhe nga ata banorë të cilët nuk pranuan të firmosnin marrëveshjen me Bashkinë Tiranë dhe nuk trajtohen me bonus.

"Vetëm gënjejnë. Del kryetari i bashkisë dhe thotë do ju sistemojmë si te "5 Maji". Çfarë sistemove te "5 Maji"? Mua më le jashtë. Më shkatërrove jetën, më shkatërrove shtëpinë."

Në zonën e 5 Majit janë shembur mbi 160 banesa ndërsa janë detyuruar të dalin nga shtëpitë e tyre rreth 200 familje.