Bllokohet rruga nacionale Lezhë - Milot, automjetet ndalojnë pranë fshatit Spiten
Situata e reshjeve në vendin tonë ka shkaktuar problem nga veriu në jug të vendit. Në Lezhë ka pasur bllokim rrugësh, ndërsa dhjetra fshatra në të gjithë vendin janë pa energji elektrike për shkak të prishjes së rrjeteve dhe dëmtimit të fibrave. Ndërkohë 56 shkolla në të gjithë vendin kanë pezulluar mësimin.
Reshjet e dendura të shiut që kanë vijuar gjatë gjithë natës kanë krijuar probleme në qytetin e Lezhës. Kanalizimet nëntokësore nuk e kanë përballuar nivelin e prurjeve dhe uji ka dalë në sipërfaqe.
Ndërkohë së fundmi njoftohet se si pasojë e prezencës së ujit në rrugë, është bllokuar rruga nacionale Lezhë - Milot, ku automjetet janë detyruar të ndalojnë pranë fshatit Spiten.
Territori i qarkut të Lezhës është përshkuar nga reshjet e shiut me intensitet të lartë në të mesëm që nga ora pesë e mëngjesit, të cilat vazhdojnë dhe në këto momente, të shoqëruara dhe me erëra të fortë deri në nivelin e një tufani.
Sasia e reshjeve deri tani ka qenë mesatarisht rreth 40 mm shi.
Kuota e lumit Drin është në nivelin e mëngjesit, +1.1 m nga +2.0 m që është kuota kritike, kurse kuota e lumit Mat ka rritje të vogël për shkak të shkarkimeve të H/C Ulëz e Shkopet, 250 m³/s, por pa krijuar probleme.
Hidrovorët janë në gatishmëri. Nga ora 6:00 ka ndërprerje të energjisë elektrike në hidrovorin e Tales, si pasojë e dëmtimit të linjës elektrike nga era e fortë. Aktualisht, të gjithë hidrovoret e Lezhës janë në punë.
