Kapen dy skifterat e Shijakut, vodhën sende e pajisje në banesa e magazina, një në kërkim
Dy persona janë arrestuar ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pasi u identifikuan si autorë të disa vjedhjeve në fshatrat përreth Shijakut.
Të arrestuarit u kapën në flagrancë.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Periferia” u arrestuan:
-J. D., 35 vjeç, banues në Sukth dhe një 17-vjeçar, banues në Shijak. Këta shtetas u kapën në flagrancë duke vjedhur pajisje të ndryshme, në një biznes (servis automjetesh), në Xhafzotaj.
Në kuadër të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi D. A., 29 vjeç, banues në Vorë, për kapjen e të cilit, vijon puna.
"Gjithashtu, rezultoi se të tre këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të 3 vjedhjeve të ndodhura në datat 9 dhe 13 janar, në fshatrat Xhafzotaj dhe Vlashaj, ku janë vjedhur sende dhe pajisje në ambiente (banesa dhe magazina) në pronësi të shtetasve të ndryshëm," njoftoi policia.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.