Tensionet në veri, opozita i kërkon llogari Peleshit për qëndrimin ndaj Kosovës, Peleshi: Nuk ngremë armët jashtë NATO-s

Përgjatë tre javëve që veriu i Kosovës u përfshi nga tensionet si pasojë e barrikadave, qeveria shqiptare u përball me kritika se pse qëndroi e heshtur.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u dha përgjigjen deputetëve demokratë në Komisionin e Sigurisë.

Peleshi: Nuk mund të kemi angazhime jashtë NATO-s. Më vjen keq nëse prisni të ngremë armët dhe të shkojmë të bashkohemi me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kjo gjë nuk mund të ndodhë se ne jemi në kuadrin e NATO-s në Kosovë.

Demokratët e vunë nën presion Ministrin për marrëdhënien direkte të Edi Ramës me Aleksandër Vuçiç dhe e konsideruan Kosovën viktimë.

Salianji: Ne nuk ngremë armët, Shqipëria ngre armët në kuadër të operacioneve të NATO-s.

Noka: Këto lloj qëndrimesh dhe deklaratash quhen tradhëti kombëtare.

Peleshi: Ty të mbaj me hatër, të thashë, kemi arsye.

Seancës nuk i shpëtoi përdorimi i detyrimit kushtetues të Shqipërisë ndaj Kosoës në funksion të politikës së brendshme.

Noka: Republika e Kosovës është territor shqiptar, jo i Shqipërisë, por i banuar me shqiptarë, atje jetojnë vëllezërit tanë dhe kryeministri fut kokën si struci.

Peleshi: Nuk ju kënaq dot dhe për ato që keni në mendje sepse janë të gjitha trillime.

Pjesë e diskutimit ishte dhe drejtori i SHISH, por për shkak të ruajtjes së informacioneve konfidenciale seanca u zhvillua me dyer të mbyllura.