"Më shumë rezistencë, më pak teatër", Shehi për PD: Kohë për zgjidhje të logjikshme ka, për marri jo

Duke folur pas një seance të zhurmshme plenare, deputeti Dashamir Shehi thotë se opozita duhet të forcojë rezistencën politike dhe jo të ashpërsojë fjalorin.

Shehi: Shpresoj që opozita të ketë një pozicion të ashpër politikisht por nuk ka nevojë për fjalor të ashpër. Ka shumë vite që fjalori është një dekor politik, bëhet sherr i madh sikur po bëhet hataja dhe nuk bëhet asgjë. Duhet të kthehemi te rezistenca e ashpër politike ndaj qeverisë së korruptuar të Edi Ramës dhe nuk ka nevojë për fjalor të ashpër dhe të zhurmshëm. Fjalët normale dhe logjike ngjisin më shumë në politikë se zhurma. Na duhet më shumë rezistencë reale dhe më pak fjalor dramatik dhe teatral, këtë kemi vite që e bëjmë dhe nuk kemi arritur gjë.

Për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma ai thotë se pjesë e aksionit janë dhe protestat.

Shehi: Protestat janë një nga armët e opozitës. Ne duhet të kemi disa armë. Arma kryesore është lufta dhe jeta politike brenda institucioneve. Do ta bëjmë dhe në rrugë. Pra luftë 360 gradë.

Ndërsa PD vijon me problemet e brendshme, Shehi thotë se fokusi do duhet të jenë zgjedhjet vendore.

Shehi: Ky dualizëm mes Berishës dhe Bashës ka qenë prej 4-5 vitesh. Kulmoi në shtator të një viti më parë. I është bërë një dëm i madh opozitës dhe PD. Është një ndarje, e fshehin kot. Lufta ka qenë pak e ulët, pothuajse personale pa profil politik.Por para kemi një detyrë të madhe, zgjedhjet lokale. Detyra jonë si opozitarë është të japim një formulë bashkimi aty ku është e mundur të bashkohemi. Bashkohemi për atë që është kryetari i Bashkisë. Nëse biem dakord që në Shkodër do jetë kandidat ai doktori, që unë jam dakord, të jemi të gjithë dakord. Pastaj çdo parti mund të hyjë për këshilltarët e vet. Nuk ka nevojë për sherr. E njëjta gjë për Durrësin.

Kohë për kompromis ka, thotë ai, për marri jo.

Shehi: Kur të dalë më vete do ta shihim, a ja vlejnë. Mund të ketë më të mirë të se këta që janë caktuar. Ka hapësirë dhe mundësi, ka kohë të mjaftueshme për një zgjidhje të logjikshme. Për marri nuk ka kohë asnjëherë. Nëse duan të bëhen me 2-3 kandidatë nuk ka kohë, nuk ja vlen. Për kompromis, kush është më i miri për Shkodrën, Lushnjen etj, ka kohë sa të duash vetëm po nuk e deshën. Nëse zgjedhjet duan ti përdorin se kush është grupi më i madh, mund ti shpërdorojnë edhe këto zgjedhje si ato të 6 marsit. Nga 6 bashki, 5 ja dorëzuan Edi Ramës.

Duke folur krisjen brenda grupit parlamentar ai vlerëson se nëse nuk puqen mirë është të ndahen.

Shehi: Të përjashtuar apo jo nuk ka rëndësi. Zhurma është e pavlefshme, përfiton pala tjetër. Nëse nuk puqen më është më mirë të bëhen dy grupe. Ne garën e kemi me Edi Ramën. Nëse tre grupe sa bëhemi atje janë bashkarisht kundër Edi Ramës, korrupsionit, nuk shoh dramë në këtë mes.

Lidhur me dorëheqjen e deputetit, Fation Veizaj, Shehi nuk analizon emrin por fenomenin.

Shehi: Kjo tregon se PD  ka zgjedhur brenda vetes vet njerëz që mund të jenë burrat më të mirë, por nuk kanë vokacionin kryesor politikën, mund të kenë intersa të tjera. Dikush është akademik, njerëz të medias, biznesit. Shumicën e rasteve mandati lidhet me idenë e pushtetit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.