Racizmi ndaj shqiptarëve, Shehi: Në vend ti vëmë faj qeverisë tonë merremi me atë të Anglisë, përrallë nga koha e Enver Hoxhës
Qeveria ka thirrur ambasadorin britanik në vendin tonë ku i është komunikuar një notë proteste nga Ministria e Jashtme, lidhur me deklaratat e ministrit britanik të Emigracionit Robert Jenrick, kundër emigrantëve të jashtëligjshëm shqiptarë.
Por deputeti Dashamir Shehi e sheh këtë çështje në dy plane.
Përveçse kritikon një politikë të këtij niveli në një vend të zhvilluar si Britania ai thotë se problemin duhet ta shohim dhe te vetja.
Shehi: Janë deklaratat e një administrate atje që është lodh me një shkallë kriminalizimi të Shqipërisë. Brenda një lidhje permanente buron dhe një lloj ksenofobie, racizmi që bën që në debatet publike angleze dikush të përfitojë dhe të thotë se këta janë të këqinjtë, nga kjo vjen e keqja. Unë do pretendoja që një vend i rafinuar politikisht si Britania të prodhonte diçka më cilësore. Por bota është bërë një gjurulldi e madhe. Deri këtu u vë faj anglezëve. Pjesa tjetër që amplifikohet këtu se nuk na do bota, këta maskarenj, kjo pjesa shqiptare.
Në vend që të merremi se po na shajnë anglezët duhet të kemi kurajon, dinjitetin si shqiptarë të shajmë qeverinë tonë.Kush po i nis ata djemtë nëpër botë, kush e ka sjellë këtë vend në këtë shkallë kriminalizimi, kush e mbolli me drogë Shqipërinë në 2015-2016, e kush e solli policinë në këtë nivel, kush e ka bërë shoqërinë në këtë nivel propagande. Duhet të shohim nga vetja ne, ata kanë bërë gabim por ne nuk mund ta përkthejmë të gjithë të keqen shqiptare nga një keqdashës britanik dhe pse jam i sigurt se nuk ka ndonjë keqdashje ndaj nesh. Nuk po kërkojnë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, hajdeni si njerëz. Në vend që ti vëmë faj qeverisë tonë ne merremi me atë të Anglisë, kjo është një përrallë që nga koha e Enver Hoxhës.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
