Apeli pushoi çështjen e bashkimit të dy statuteve, por Vula e PD-së mbetet në Gjykatë
Në Gjykatën e Apelit të Tiranës vijon lufta për vulën e Partisë Demokratike, ndërsa deputeti Enkelejd Alibeaj ka bërë një hap pas.
Ditën e sotme, pak minuta para nisjes së seancës gjyqësore, përmes përfaqësuesit ligjor Indrit Sefa, Alibeaj depozitoi kërkesën për pushimin e ankimimit të tij, ku kishte depozituar ankimimin kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës (vendimi Zhukri), që refuzoi të regjistronte bashkë edhe ndryshimet statutore të Kuvendit të 17 korrikut edhe ato të 18 dhjetorit 2021, të dy Kuvende të thirrura nga ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Sefa kërkoi gjithashtu që Gjykata e Apelit të marrë një vendim para zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Pak ditë më parë, Gjykata e Apelit rrëzoi edhe një tjetër kërkesë të Enkelejd Alibeajt dhe Lulzim Bashës për të përjashtuar gjyqtaren Irida Kacerja nga gjykimi i çështjes për bashkimin e dy statuteve, atë të 17 korrikut dhe të 18 dhjetorit të vitit 2021.
Por po ashtu, përveç rrëzimit të kërkesës, Apeli vendosi gjithashtu gjobitjen e kërkuesit Partia Demokratike e Shqipërisë në shumën 10,000 lekë të reja.
Tashmë mbetet për t’u gjykuar vetëm vendimi i marrë nga gjyqtari Agron Zhukri për vulën e Partisë Demokratike, vendim që njeh Sali Berishën si kryetar të PD-së, një vendim që do të përcaktojë edhe fatin e përfaqësimit të Partisë Demokratike në procesin zgjedhor për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Kjo pasi brenda datës 29 janar, KQZ-ja do të vendosë se cili nga grupimet në PD do të ligjërohet për të propozuar kandidatët jo vetëm për lkryebashkiakë, por edhe të anëtarëve të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Procedura nis me propozimin e emrave të komisionerëve në KZAZ ku veç dy partive kryesore nga një anëtar, kanë dhe PSD e Partia e Lirisë. Dhe në këtë rast do të ndahet, dhe dilema nëse do të jetë Berisha apo Alibeaj, që do të njihen nga institucioni i çertifikimit të votimeve.

