"Ngrin vula e PD-së", Berisha: Ali-Basha "de fakto" pranoi Kuvendin e 11 dhjetorit. Rama mban peng vendimin
Grupimi i Enkelejd Alibeajt u tërhoq nga kërkesa për të bashkuar ndryshimet e dy statuteve të PD-së në një vendim të vetëm. Avokati, Indrit Sefa sqaroi se tashmë nuk ka më argument për të shtyrë shqyrtimin e njohjes ose jo të Kuvendit të 11 dhjetorit të mbledhur nga Sali Berisha. Ky i fundit e cilësoi tërheqjen nga Apeli si njohje të Kuvendit të Rithemelimit.
Grupimi i Partisë Demokratike nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt ndryshon strategji për vulën.
Avokati Indrit Sefa u tërhoq nga Ankimimi në Gjykatën e Apelit për bashkimin e dy kuvendeve, të mbledhura nga Lulzim Basha, përmes të cilave bënin nul juridik vendimet e Kuvendit të 11 Dhjetorit të Thirrur nga Sali Berisha
“Nuk ka më argument, te mbyllet para zgjedhjeve të 14 majit”, tha ai.
Por edhe pse grupi i Alibeajt thekson se tërheqja nuk është njohje e Kuvendit të Berishës, ky i fundi e ka lexuar ndryshe.
“Alibasha tallet me veten e tij. Kur dëgjova që Alibasha deklaroi se u zvarrit, në një kohë kur ishte avokati i tyre që katër seanca, ose gjykata përdorte si pretekst se nuk e di si kombinohen me Ramën, kësaj i thonë të tallesh me veten. Kurse vendimi i Gjykatës së Tiranës është një vendim i prerë, i cili automatikisht duhej regjistruar në regjistrin e partive. Rama ka marrë peng gjykatën dhe nuk lejon regjistrimin. Alibasha, në asnjë vend të botës, përveç në drejtësinë e Edi Ramës, nuk mund të bëhet palë në një proces që nuk ka qenë palë. Kjo ndodh për herë të parë në historinë e botës. Është absolutisht i pavlerë. Alibasha ka të drejtë, ai dhe çdo qytetar, të shkojë në gjykatën e faktit, dhe për çdo objeksion apo provë, të hapë një proces të ri, por jo të bëhet palë. Kjo ndodh në drejtësinë qesharake të Ramës, që vepron si në diktaturë, që pengon regjistrimin që është automatik dhe i padiskutueshëm të vendimit të gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit. Duke u tërhequr nga Kuvendi i 18 dhjetorit, Alibasha de facto pranoi Kuvendin e 11 dhjetorit. Por ai zbaton urdhrat e Edi Ramës. Ata janë të pavlerë, që keqpërdoren nga një njeri që nuk ka asnjë parim, nuk respekton asnjë parim, asnjë ligj, asnjë normë”, tha Berisha.
Tashmë Gjykata e Apelit në Tiranë duhet të ndjekë rendin kronomologjik sa I përket cështjes së Vulës së PD-së.
Së pari, do të shqyrtojë regjistrimin ose JO të Kuvendit të Rithemelimit më 11 Dhjetor.
Nësë e njeh, automatikisht Sali Berisha merr të drejtën të regjistrojë në KQZ kandidatët, anëtarë të Komisioneve zgjedhore dhe numërues, nën siglën zyrtare të PD.
Në të kundërt, Gjykata e Shkallës së parë vulën ia lë grupit të Alibeaj dhe detyrimit edhe përfaqësimin zyrtar të demokratëve në zgjedhjet e 14 Majit.

