Salianji: Majori ktheu shtëpinë e paguar nga MM në fermë kanabisi. Peleshi "mahnit": Fenomene që ndodhin

Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, deputeti i PD-së Ervin Salianji, i është drejtuar Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, duke e pyetur lidhur me një rast të një majori të dënuar në Holandë për lëndë narkotike. 

Në fjalën e tij Salianji referoi konkretisht rastin e Majorit Ermal Dinoshi me detyrë specialist stërvitje, i cili po hetohet në gjendje të lirë nga autoritetet holandeze, pasi dyshohet se përshtati një shtëpi për kultivimin e kanabisit.

Teksa Salianji e pyet ministrin nëse kanë dijeni dhe nëse e kanë çuar rastin në Prokurori, Peleshi u shpreh se këto janë fenomene që ndodhin, po se e rëndësishme është se çfarë qëndrimi mban ministria në këto raste.

Ai tha se kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me organet e drejtësisë në vendin ku ka ndodhur kjo vepër dhe se presin përfundimin e procesit aty dhe më pas në varësi të përfundimit të procesit do të procedojmë.

Diskutimi në Komision

Salianji: Nga periudha që ka ndodhur deri më sot nuk keni qenë në komision, një person me gradën major ka përdorur shtëpinë që e paguante ministria e Mbrojtjes, për ta kthyer në fermë kanabisi në Holandë. Është dënuar për këtë arsye nga autoritetet holandeze. Policia ushtarake apo ministria e Mbrojtjes, e keni referuar në prokurori këtë rast? Nëse po, kur dhe a keni ndonjë dokument? Është e paprecedentë se këto e dëmtojnë imazhin e ushtrisë në mënyrë të parikuperueshme.

Peleshi: Janë fenomene që ndodhin. Forca e Armatosur ka rreth 10 mijë personel ushtarak dhe civil dhe që patjetër mund të ketë edhe fenomene të tilla. E rëndësishme është çfarë qëndrimi mbajmë ne në këto raste. E kemi pezulluar majorin, është kthyer në Shqipëri. Kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me organet e drejtësisë në vendin ku ka ndodhur kjo vepër. Presim përfundimin e procesit aty dhe më pas në varësi të përfundimit të procesit do të procedojmë. Është referuar në vendin ku ka ndodhur. Ne jemi në komunikim. Sapo të përfundojë procesi atje, do ti referohet dokumentacioni prokurorisë. Ne nuk mund të bëjmë dy procese paralele.

Naço: Nuk mund të procedohet në dy vende. Na çuditët tani.

Salianji: Në vend që të çuditemi ne, çuditeni ju. Një major që e kthen shtëpinë në fermë kanabisi.

Peleshi: Ne jemi të gjithë në një pozicion, si ju ashtu edhe ne e dënojmë. Kemi të njëjtin qëndrim.

Salianji: Ministri thotë fenomen që ndodh që majori merret me kanabis. Unë them si kanë reaguar autoritetet shqiptare se atje e kanë kapur autoritetet e shtetit holandez. Nuk është fenomen që ndodh ky, është fenomen që nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Naço: Nuk ka si reagon se nuk e lë juristi.