180 ditë filmime në inceneratorin e Tiranës, Kryemadhi: Rama e Veliaj duhet të dalin para drejtësisë

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi vijon denoncimin e aferës së inceneratorëve duke publikuar fakte të reja.

Kryemadhi tha se në filmimet e zhvilluara nga korriku 2022 deri në janar të 2023 provohet e kundërta e deklaratave të kryeministrit Rama në Komisionin Hetimor për Inceneratorët.

“Kryeministri deklararoi se në inceneratorin e Tiranës bëhet ndarja në burim, riciklimi dhe djegia. Nga pamjet që ne kemi siguruar në inceneratorin e Tiranës bëhet vetëm kapsulimi.

Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të dalin të dy para drejtësisë për aferën e inceneratorëve. Deklaratat e tyre në Komisionin Hetimor janë gënjeshtra dhe për veprimet dhe deklarimet e tyre duhet të dalin bashkë. Edi Rama dhe Erion Veliaj në dy kokat kryesore të grupit të strukturuar kriminal të aferës së inceneratorëve.”, tha ajo.

Nga pamjet e publikuara Kryemadhi shfaqet duke hedhur në kontenierët e mbeturinave një qese fosforeshente me mbeturina të riciklueshme për të gjurmuar procesin e trajtimit të mbetjeve.

"Nga pamjet e filmuara me dron nga gjurmimi i qeses fosforeshente kuptohet qartë që në inceneratorin e Tiranës nuk kryhet asnjë proces qoftë nga ato që zotohet kryeminstri në komision qoftë edhe nga deklarimet e përfaqësuesve të kompanisë. Sipas pamjeve me dron në inceneratorin e Tiranës kryhet vetëm procesi i peshimit dhe groposjes së mbetjeve. Pra, asnjë proces tjetër për të cilin kompania paguhet 29 euro për ton", theksoi Kryemadhi.

Deputetja e Partisë së Lirisë, nuk është ndalur me thjesht me filmimin e procesit të punës në të ashtuquajturin incenerator i Tiranës.

"Duke marrë shkas nga po nga deklaratat e kryeministrit në Komisionin Hetimor që procesi në inceneratorin e Tiranës është ekselent dhe më i liri në rajon. Kryemadhi ka filmuar dhe procesin e punës në landfillin e Shkodrës. Nga krahasimi i pamjeve del që Tirana nuk ka incenerator por thjesht një qendër grumbullimi mbetjesh të njëjtë me atë të Shkodrës. Bashkia e Shkodrës për të njëjtin proces, pra atë të groposjes paguan 1600 lekë të reja për ton. Ndërkohë Bashkia e Tiranës paguan 29 euro për ton, duke na e shitur si proces incenerimi kur ndërkohë kryhet vetëm groposje, pa diferencim", u shpreh Kryemadhi.