Kushtetuesja nis shqyrtimin e Xhaçkës, Berisha: Qeveria po ushtron presion për mandatin e Ministres
Pas përfundimit të komisionit hetimor mandati i deputetit të Ministres Olta xhaçka do të shqyrtohet nesër në gjykatën kushtetuese. Do të jenë dy seanca ku do të trajtohet ankimi i bërë nga grupimi i renditur në krah të Berishës e një tjetër atij të Alibeajt. Por në konferencë për mediat kreu i selisë blu akuzoi se qeveria po ushtron presion për të detyruar trupën të dekalrojë se nuk ka konflikt interesi.
Gjykata kushtetuese do të zhvillojë të mërkurën dy seanca për të shqyrtuar kërkesat e dy grupeve të PD nëse Olta Xhaçka ka shkelur kushtetutën apo jo.
Kërkesën e parë e kanë bërë 14 deputetë mbështetës të Berishës që do të shqyrtohet në orën 10 e të tjerët në orën 13, ku në thelb kërkojnë rrëzimin e argumenteve të mazhorancës dhe pranimin e raportit të pakicës në komisionin hetimor, ku thuhet se ministrja është në konflikt interesi me detyrën kur bashkëshorti i saj mori statusin e investitorit strategjik dhe një sipërfaqe në bregdetin e himarës para hotelit të tij.
Pak orë para nisjes së procesit Sali Berisha ka akuzuar se mazhoranca po ushtron presion ndaj anëtarëve të gjykatës.
Berisha: “Jam sot para jush për të denoncuar me forcën më të madhe përpjekjen e rrezikshme mafioze, mobilizimin e papërmbajtur të Edi Ramës, Olsi Ramës, Amant Josifit, Artan Gaçes, Olta Xhaçkës për ndikime të shumëllojta mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në vendimin e tyre. Ky grup i strukturuar ka ndërmarrë dhe po ndërmerr forma antiligjore, antikushtetuese presioni ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim që të përligjin grabitjen përmes firmës së Edi Ramës nga Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, të statusit të investitorit strategjik me së paku 5 milionë euro favore.”
Kërkesa e bërë nga Berisha përballë medies ishte vetëm një:
Berisha: “Unë jam këtu para jush për t’u bërë thirrje gjykatësve, të gjykojnë nesër me paanësi, bazuar në ndërgjegjen e tyre, mbi interesin kombëtar dhe Kushtetutën e vendit. Gjykimi i nesërm është një provë e fuqishme e triumfit të Kushtetutës”.
Vetë Ministrja deri më tani i ka rrëzuar më herët këto akuza dhe është shprehur se nuk ka asgjë të paligjshme në vendimet e qeverisë.

