Klos, lëkundjet e tërmetit lënë banorët jashtë, burrë e grua e gdhijnë te mullari
Më shumë se 3 lëkundje të shkallës 2.8 deri në 3.4 rihter janë shënuar gjatë natës se kaluar në Klos të Matit.
Epiqendra e tërmetit ishte në Xibër, ndërkohë që lëkundjet janë ndjerë edhe në zonat të tjera të kësaj bashkie, duke krijuar panik tek banorët.
Më të frikësuar kanë qenë banorët e dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm i vitit 2019. Këta familje vijojnë të jetojnë në çadra apo banesat gati të rrënuara.
Një prej tyre është edhe familja Hoxha nga fshati Bejn i Klosit. Kryefamiljari Mersim Hoxha tha se lëkundjet e mbrëmshme kanë krijuar frikë saqë ka lënë ambjentet e banesës dhe ka fjetur jashtë pranë mullarit të barit.
Sipas tij, për dëmin e 3 viteve më parë ka marrë vetëm 150 mijë lekë të rinj dëmshpërblim, por që nuk mjaftojnë për asgjë.
Mersim Hoxha: Pasi dëgjova zhurmën e parë të tërmetit, mora gruan dhe dolëm te mullari fjetëm gjithë natën. Kanë qenë katër lëkundje, nuk kisha garanci në shtëpi. Është shumë e dëmtuar nga tërmeti tjetër. Kemi marrë 1 milion e gjysmë lekë të vjetra.Ça do bësh me to? Dua një banesë të vogël. Po jetojmë në çadër, ajo është grisur dhe jemi rikthyer në banesë prapë, ku do shkojmë.
Një tjetër familje e dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 është edhe Kadiu. E zonja e shtëpisë Pashe Kadiu tregon momentet e panikut të mbrëmshëm teksa ndodhej në banesën gati në shembje.
Pashe Kadiu: Mbrëmë dolëm jashtë se kishim frikë. U trondit aq shumë saqë nuk rrinim dot brenda. Nuk e dimë si do ja bëjmë. Mbrëmë fjetëm jashtë nga frika. Komisioni e ka nxjerrë të pabanueshme shtëpinë. Nuk ka ardhur më njeri nga tërmeti i parë. Nuk kemi ku shkojmë, dy pleq rrimë këtu. Kemi marrë 1 milion e 200 mijë lekë të vjetra, nuk ke çfarë bën me to. Mbrëmë u trembëm shumë se njëri tërmet ishte i fortë. Me shpresë te Zoti.
Tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019 dëmtoi disa banesa edhe në Klos, por zona nuk u përfshi në zonën e emergjencës, duke bërë që të dëmtuarit të mos përfitojnë nga rindërtimi.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
