Edhe bregdeti në harresë, fshati Rrushkull në Durrës me kanalizime të hapura e pa asnjë investim
Në zonën bregdetare të rrethit të Durrësit, fshati Rrushkull ka qënë i njohur për vlerat e shumta ekonomike e kulturore që kishte. Por sot në qëndër të kësaj zone vihet re një rrënim tërësor. Investimet kanë munguar në këtë zonë, ndërsa më shqetësuese paraqitet situata me kanalizmin.
Këto pamje vijnë nga fshati turistik i Rushkullit në Durrës.
Pak metra larg vijës bregdetare, zona është lënë në gjendje aspak të këndshme.
Ndërtesat e rrënuara, mbeturinat, dhe kanalizimet që derdhen rrugëve, janë prova që askush nuk është interesuar për fshatin bregdetar.
Banorët e revoltuar thonë se situata është bërë dramatike.
“Pislliku, ferrat e mëdhaja me pak fjalë të bjerë bomba të bëhet si në luftë. Nuk dalim dot, do mbajmë çizme, 33 vjet demokraci akoma me çizme.
Ujërat e zeza me gropat e hapura, do vij vera dhe do jetë rrezik për ndonjë epidemi,” thanë ata.
Ata deklarojnë se disa herë kanë kërkuar ndihmën e institucioneve por kurrë nuk kanë marrë zgjidhje.
“Kemi vajtur, na kan thën do ta bëjmë dhe jemi akoma me shpresa. Na thanë që do ti bëjmë mbas votimeve, kemi pritur dhe nuk na erdhën," thanë ata.
Veç fshatrave të thellë të cilët ngrejnë herë pas here shqetësimin e lënies në harresë, si duket institucionet nuk po kujtohen as për zonat me potencial të lartë turistik.