Ndalet rindërtimi në Lezhë, kompania fituese tërhiqet nga ndërtimi i shtëpive: Janë rritur kostot
Kanë kaluar më shumë se 3 vite nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit të 2019, ndërsa vitet e fundit qeveria shqiptare e ka pasur prioritet procesin e rindërtimit, të cilin nuk ka lënë rast pa e propaganduar. Por situata në terren duket krejt ndryshe.
Së fundmi në Lezhë është pezulluar rindërtimi për shkak se një kompani fituese e tenderit është tërhequr, për shkak të rritjes së kostove.
Përfundimi i proçesit të rindërtimit nga tërmeti në Bashkinë Lezhë, duket ende larg.
Puna për ndërtimin e 41 banesave individuale është pezulluar prej disa mujash, pasi firma që kishte fituar tenderin është tërhequr, për shkak të rritjes së kostos së ndërtimit duke kërkuar shtim të fondit.
Diçka e tillë është bërë e ditur nga nënkryetati i Bashkisë Lezhë Ermal Pacaj, sipas të cilit po punohet për t’i dhënë zgjidhje të shpejtë kësaj situatë të krijuar.
“Po bëjmë gati hedhjen e proçedurës për herë të dytë, normalisht që ajo kërkon disa rregullime të vogla ligjore të cilët jemi në kontakt dhe kemi bërë të gjithë procesin shkresor me Ministrin e Infrastrukturës për rindërtimin, dhe mendoj që ti japim zgjidhje shumë shpejt,” tha ai,
Deri në përfundimin e punimeve, që nuk dihet kur do të ndodhë, familjet që janë në pritje të një banese do të trajtohen me bonusin e qirasë.
Bashkia e Lezhës është një ndër zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, i cili la të pastrehë 246 familje.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani kanë hyrë në apartamentet e reja 198 familje dhe 207 familje kanë marrë pjesën e parë të grantit për t’i ndërtuar vetë shtëpitë.