Kush janë porositësit e naftës kontrabandë? Sula: Skandali është zgjeruar

Deputet Dash Sula përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook ka ngritur shqetësimin për kontrabandimin e naftës.

“Në mënyrë të përsëritur në Shqipëri futet naftë kontrabandë.”, shkruan Sula.

Sipas tij “policia mburret se kapja u bë pas veprimeve të koordinuara me partnerët, por në fakt nuk e lejon operacionin e jashtligjshëm që të shkojë deri në fund në mënyrë që të zbulohen edhe porositësit e vërtetë të naftës”.

“Nëse policia arreston vetëm kapitenët e anijeve, trafikantët e naftës e kanë të lehtë të gjejnë kapitenë të tjerë dhe të bëjnë sërish këtë aktivitet.”, thotë ai.

Postimi i plotë:

Në mënyrë të përsëritur në Shqipëri futet naftë kontrabandë. Kohët e fundit skandali është zgjeruar pasi jo vetëm kontrabandohet nafta, por thyhet edhe embargo e vendosur me Libinë.

Dje policia lajmëroi se ka kapur 62 mijë litra naftë në dy peshkarexha.

Nga ana e policisë lajmi shitet si një arritje, por ajo që shqetëson shqiptarët është fakti se nga kush ka frikë shteti që nuk deklaron apo nuk ndëshkon porositësit e naftës. Si në rastin e parë edhe në këtë të dytin policia mburret se kapja u bë pas veprimeve të koordinuara me partnerët, por në fakt nuk e lejon operacionin e jashtligjshëm që të shkojë deri në fund në mënyrë që të zbulohen edhe porositësit e vërtetë të naftës. Si në rastin kur u sekuestrua anija cisternë në verë, por edhe dje, në prangat e policisë kanë rënë vetëm ata që në zhargon quhen peshqit e vegjël. Nuk i hyn asnjë gjëmb në këmbë atyre që porosisin naftën.

Nëse policia arreston vetëm kapitenët e anijeve, trafikantët e naftës e kanë të lehtë të gjejnë kapitenë të tjerë dhe të bëjnë sërish këtë aktivitet. Ndaj theksoj që problemi i vërtet është porositësi dhe ata që ofrojnë garanci në Shqipëri që këto aktivitete të funksionojnë.