KLSH në sulm: Pas vërejtjes për rekomandime, kujtohet të zbresë tek administrimi i pasurisë
Nëse nuk u reklamon punën, por u zbulon skandalet, konsiderohesh armik.
Institucionet në Shqipëri në vend të reagimit dhe korrigjimit të defekteve sulmojnë dhe shantazhojnë median dhe gazetarët.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk i ka shpëtuar sëmundjes.
Pas konstatimeve mbi raportet e bëra për mungesën e reagimit për rekomandimet e lëna, apo për mungesën e kallëzimeve për shkeljet e mëdha financiare, sjellja ka qenë nisja e presionit.
Në fakt alarmi duhet të kishte rënë për institucionet që nuk zbatojnë rekomandimet që edhe i kanë pranuar.
Por çfarë ka ndodhur?
Duhet pranuar që prej rreth tre vitesh RTV Ora është në administrimin e shtetit.
E duket se si zgjidhje për të mos lejuar lajmet që nuk i pëlqejnë, është gjetur drejtoria e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Në mënyrë rrufe KLSH ka vendosur të auditojë këtë institucion për periudhën 1 janar 2020 deri në 31 dhjetor 2022.
E këtu nuk ka asnjë problem madje inkurajojmë zbulimin e shkeljeve qoftë edhe kur janë bërë prej këtij institucioni ndaj televizionit.
Por çuditërisht një autidim ndaj Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ishte parashikuar edhe në vitin 2020 por ende nuk dihet se çfarë është bërë me të.
Gjithsesi pa dashur të paragjykojmë kontrollin rrufe i qëndrojmë kërkesës që linja editoriale e televizionit nuk duhet të cënohet si shprehje e lirisë dhe në zbatim të transparencës së institucioneve, pavarësisht se cili institucion shtetëror mbetet i pakënaqur.
