Roja palë me hajdutët? Vidhet 10 kamera në një subjekt, roja nuk i raporton dhe ikën pa mbaruar turnin

Një roje në një subjekt privat është arrestuar nga policia pasi në këtë subjekt janë vjedhur 10 telekamera për të cilat ai nuk ka raportuar vjedhjen dhe është larguar pa përfunduar orarin e punës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 48 vjeç, banues në Elbasan, punonjës sigurie në një firmë private, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".

"Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë natës, në kohën që ky shtetas ishte në turnin e tij të punës si punonjës sigurie, në një firmë, janë vjedhur 10 telekamera të vendosura për sigurimin e objektit.

Gjithashtu, sipas kallëzimit të punonjësit të turnit të radhës që ka konstatuar vjedhjen e telekamerave, 48-vjeçari është larguar nga vendi i punës para orarit të përfundimit të shërbimit," njoftoi policia.

Punohet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.