Ndihmoi autorin e plagosjes të largohej, në pranga 49-vjeçari në Fier

Një 49-vjeçar është arrestuar nga policia në Fier pasi dyshohet se ka ndihmuar një 52 vjeçar të largohet pasi plagosi me armë një person në lagjen "11 janari".

"Në vijim të veprimeve për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në lagjen "11 janari", ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi D. M., 50 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin B. H., 49 vjeç, banues në Mallakastër, për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit".

Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas ka ndihmuar autorin e ngjarjes, shtetasin A. N. alias M. V., 52 vjeç, të largohej nga vendi i ngjarjes," njoftoi policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti me të cilin është larguar autori, brenda të cilit u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, 1 krehër, 12 fishekë dhe 1 pistoletë paralizuese.

Vijon puna intensive për kapjen dhe ndalimin e 52-vjeçarit.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.