"Porositësi" i 137 kg kokainë, dënohet me 8.8 vite burg Gentian Malindi
Trafikimi i 137 kilogramëve kokainë nga Ekuadori do ti kushtojë tetë vite e tetë muaj burg Gentian Malindit. Biznesmeni u dënua nga gjykata me 13 vjet burg, por pëfitoi nga gjykimi i shkurtuar. Ai u shpall në kërkim në vitin 2019 pasi i shpëtoi arrestimit në momentin që priste pakot e drogës në port, por ra në pranga vitin e kaluar ku kërloi gjykim të shkurtuar.
Episodi i trafikimit të 137 kilogramëve kokainë në vitin 2019, do ti kushtojë 8 vite e tetë muaj burg Gentian Malindit.
Ai u dënua në total me 13 vjet heqje lirie, por përfitoi uljen e një të tretës nga gjykimi i shkurtuar.
Procesi ndaj tij filloi në mungesë, por pas arrestimit i dyshuari dhe avokati i tij kërkuan gjykim të shkurtuar për akuzën e trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve.
Gentian Malindi u arrestua më 27 tetor 2022 në zonën e Vorës pasi ishte shpallur në kërkim pas kapjes së ngarkesës me 137 kilogramë kokainë në portin e Durrësit.
Para mbërritjes së ngarkesës në Shqipëri, kontejneri ishte hapur në portin e Pireut në Greqi, ku agjentët e huaj kishin ndërruar kokainën me oriz, duke lënë vetëm një pako me lëndë narkotike për efekt të hetimeve.
Në pakot e kokainës u vendos edhe një pajisje gjurmuese, GPS, ndërkohë pas mbërritjes së ngarkesës në port, personat që shkuan për ta marrë përveç Gentian Malindit ishin edhe Altin Myslihaka që u arrestua dhe dënua me 10 vite burg dhe Ardian Bega i dënuar me 8 vite e 4 muaj burg me gjykim të shkurtuar, i cili punonte si oficer i Sigurisë në portin e Durrësit.
Ngjarja ndodhi më 19 shtator 2019, kur kontejnerët ku ishte fshehur kokaina kishin mbërritur prej dy ditësh nga Ekuadori në Durrës pasi kishin kaluar tranzit nga porti i Pireut në Greqi.
Gentian Malindi, Altin Myslikhaka dhe Ardian Bega u paraqiten në port dhe hapën një nga kontejnerët dhe morën disa prej pakove të ngarkesës.
Pasi kontrolluan disa prej tyre dhe konstatuan se në to kishte oriz, tre personat tentuan të largohen nga vendi i ngjarjes, por dy prej tyre u arrestuan, ndërsa Gentian Malindi arriti të largohet duke i shpëtuar arrestimit deri në tetor të këtij viti.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

