Mediu nën akuzë për “Gërdecin”: Akuza është politike, dosja s`ka asgjë të re nga 2009
Më tepër se një vit pasi familja e njërit prej fëmijëve të vdekur nga tragjedia e Gërdecit kërkoi drejtësi, SPAK i ka njoftuar akuzën shpërdorim detyre ish-ministrit të Mbrojtjes. Fatmir Mediu në dalje të SPAK tha se është i pafajshëm dhe e cilësoi akuzën të motivuar politikisht. Sipas tij, dosja nuk ka asnjë fakt apo provë të re nga viti 2009 kur ai fitoi betejën me Prokurorinë.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Pas përballjes për rreth një orë me prokurorët, ai e cilësoi akuzën të motivuar politikisht.
"Kam kërkuar që në fillim të pyetem, nuk jam pyetur 15 vjet për këtë çështje. Shpresoj të ketë mundësi që të pyetem për aktet që kam firmosur. Në diskutim që pata me prokurorin e çështjes tha se nuk ka asnjë element shtesë përveç atyre që kanë qenë të zhvilluara në atë kohë që për mua ka qenë terësisht e motivuar politikisht dhe asgjë më shumë sesa kaq".
Mediu vuri në dukje se caktimi i vendit të demontimit të municioneve është bërë nga ushtria dhe jo nga Ministri i Mbrojtjes.
"Ministri i Mbrojtjes nuk di ku janë vendet e Forcave të Armatosura, nuk ka asnjë dijeni për atë".
Ish-ministri theksoi se aktiviteti i Gërdecit është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave që është akt kolegjial.
"Nëse Ministri nuk zbaton VKM për të nxjerrë urdhra dhe nuk konsultohet me autoritetet civile dhe ushtarake nuk është Ministër."
Ish-zyrtari i lartë tashmë i pandehur, këmbënguli se nuk ka asnjë telefonatë, përgjim apo akt që e implikon në këtë çështje.
"Kam deklaruar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që nëqoftëse do të gjendet një telefonatë që unë të kem qoftë me personin shqiptar apo amerikan që kryente biznesin, unë, familja ime apo dhe stafi im, e marr gjithë përgjegjësinë në raport me këtë çështje.Është provuar që nuk ka asnjë kontakt."
Dosja e Gërdecit u rihap nga SPAK në vitin 2021 pas padisë së avokatit të familjes së njërit prej 26 viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008.
Në shtator të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi që ish-ministri mund të gjykohej për dosjen “Gërdeci”.
Avokatët e ish-Ministrit e dërguan çështjen për interpretim deri në Gjykatën e Lartë, e cila i hapi rrugë trajtimit të dosjes nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme.
Sipas Prokurorisë, rihetimi i Mediut është i mundur bazuar në ndryshimet kushtetuese të vitit 2017.
Një vit pas tragjedisë së Gërdecit, në 2009, prokuroria nuk arriti të formulojë akuzë për ish-ministrin për shkak të imunitetit.
Ndërkaq në gjyq për tragjedinë e Gërdecit u dërguan një numër ushtarakësh bashkë me pronarin dhe punonjës të kompanisë Alba Demil, e cila kishte ngritur fabrikën e demontimit të municioneve të ushtrisë ku ndodhi shpërthimi tragjik.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
