Vartësja e Ahmetajt në "shah mat", Alda Klosi lë jetime 400 mijë eurot, vëllai në lojë për bizhuteritë

Alda Klosi, ish-vartësja e Arben Ahmetajt, duket se është në "shah mat" përballë prokurorisë për të justifikuar burimin e parave dhe bizhuterive që ju vodhën nga pastruesja në banesë. I vëllai i saj dhe një tjetër person janë futur në lojë duke pretenduar vetëm bizhuteritë e duke lënë kështu pa zot 400 mijë eurot e gjetura të fshehura në kuzhinën e pastrueses.

Pastruesja jo vetëm e vodhi,por edhe e la të zbuluar para drejtësisë që tashmë po i verifikon pasuritë.

Alda Klosi, ish-zyrtarja e koncensioneve  në Ministrinë e Ekonomisë, mësohet se është zënë në vështirësi kur është marrë në pyetje nga prokurorja që po ndjek rastin për burimin e pasurisë dhe shumën e vjedhur.

Nisur nga kjo situatë, prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim kryesisht për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Mos deklarim të pasurisë” pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive në Tiranë.

Askush tjetër nuk i pretendon 400 mijë eurot, të cilat u zbuluan nga përgjimet ambientale të nënë e bir Rozeta dhe Havier Dobi, ndërsa ishin të shoqëruar në komisariatin nr 2 si të dyshuar për vjedhjen.

Havieri: Çfarë ke thënë ti për mua?

Rozeta: Asgjë, do rri unë këtu.

Havieri: Lekët atje lart te shtëpia do t'i nxjerr unë.

Rozeta: Pse ke marrë shumë para?

Havieri: Kam marrë vetëm 50 mijë.

Të hënën Gjykata e Tiranës i la në burg nënë e bir që sipas llogarive vodhën mbi 520 mijë euro dhe shumë bizhuteri me diamante.

Rozeta Rakipllari pretendon se të gjithë shumën e ka vjedhur në banesën e Alda Klosi, pasi e urrente punëdhënësen punonjëse të lartë të shtetit.

Por zyrtarja pretendoi për 120 mijë euro, 30 mijë dollarë dhe buzhuteri me diamante, të vjedhura duke lënë pa pronar 400 mijë euro të tjera të sekuestruara në banesën e pastrueses.

As Leonard Ciko dhe Altin Dine, dy persona të tjerë që kanë denoncuar pastruesen Rozeta Dobi nuk kanë pretendime për paratë.

Leonard Ciko që rezulton të jetë vëllai i Alda Klosit (Ciko), ish-shefe kabineti e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, mësohet se ka akuzuar për vjedhje të sendeve të çmuara.

Zyrtarja Alda Klosi ndërkohë rezulton se është pronare dhe bashkëpronare e të paktën 7 pasurive të paluajtshme dhe e një makine.

Në listë bien në sy dy apartamenteve të dhuruara në Shëngjin.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.