Zbulohet deklarata e pasurisë në ILDKPI e Alda Klosit: Kredi, apartamente e kontrata investimi për pallat
Zbulohet pasuria e deklaruar pranë ILDKPI-së e Alda Klosit, Drejtoreshës së Kabinetit të ish-ministrit të Rindërtimit dhe Platformave të Reformave, Arben Ahmetaj.
Prokuroria e Tiranës ka administruar ditën e sotme të gjitha deklaratat e pasurisë për Alda Klosin, e cila tashmë do i nënshtrohet një hetimi pasuror për “Fshehjen e të ardhurave”.
Pastruesja e arrestuar nga prokuroria në dëshminë e saj ka deklaruar në prokurori se të gjithë sasinë e parave prej gati 550 mijë euro, e kishte vjedhur në banesën e drejtoreshës së Arben Ahmetaj, Alda Klosi.
“Ora News” siguron deklaratën e pasurisë ku jepet një rezyme mbi veprimet me bankat dhe pronat.
Për vitin 2016 Alda Klosi, ka deklaruar blerjen e një apartamenti 47 metra në Tiranë, ku pronare është Klosi së bashku me ish-bashkëshortin e saj, Altin Klosi.
Vlera e blerjes së apartamentit në vitin 2016 është 25 milion lekë të vjetra. Kjo shumë financiare sipas Alda Klosit, ka rrjedhur nga një kontratë shitje të një apartamenti me sipërfaqe 110 metra katror, i cili ishte në pronësi të prindërve të Altin Klosit. Kontrata e shitjes se këtij objekti daton në 2 shkurt 2012.
Gjithashtu Klosi për vitin 2016 ka deklaruar dhe një automjet tip Toyota Yaris me vlerë prej 1 milion e 800 mijë lekë të vjetra e prodhimit 2004.
Ndër të tjera në vitin 2016, Klosi, ka deklaruar një pagë mujore prej 1 milion e 841 mijë lekë të vjetra, si Drejtoreshë pranë Ministrisë së Financave. Njëherësh dhe një llogari bankare me vlerë 250 mijë lekë të vjetra.
Gjithashtu Klosi, tregon të ardhura neto me vlerë prej 1 milion e 400 mijë lekë të vjetra si anëtare e Këshillit Mbikqyrës i Shoqërisë së Parë Financiare e zhvillimit FAF, për vitin 2016.
Mes pasurive të deklaruara nga Alda Klosi është një llogari rrjedhëse bankare, për pagën si pjesë e Bordit të Çështjeve të Mira dhe Lotaria Kombëtare. Gjithashtu deklaron një kartë krediti prej 1 milion lekë të vjetra.
Ndërsa bashkëshorti i saj Altin Klosi, deklaron në vitin 2016 një truall prej 100 metër katror që e disponon qysh prej vitit 2009 në fshatin Lalm të Tiranës, mbi të cilin është një ndërtim prej 90 metra katror. Vlera e këtij trualli plus banese deklarohet 90 milion lekë të vjetra. Kjo pasuri është krijuar nga emigracioni në Greqi.
Njëherësh “Ora News”, ka siguruar dhe deklaratën e pasurisë për vitin 2017 të Alda Klosit, e cila tregon se në Tetor 2017 ka blerë një apartament prej 72 metra në Rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Burimin financiar për krijimin e këtij apartamenti si pasuri mes çiftit Klosi, tregohet se është një kredi prej 31 mijë e 375 euro, që mbaron së likuiduari në 1 nëntor 2024. Por kjo kredi dyshohet se është shlyer totalisht brenda një viti pasi akti i fitimit të pronësisë së këtij apartamenti nga çifti Klosi, mban datën 12 dhjetor 2017.
Një garanci financiare prej 10 mijë euro të një ambienti të dhënë me qera. Njëherësh dhe një borxh prej 9 milion e 500 mijë lekë të vjetra, që duhet ta kthenin deri në datën 30 Tetor 2020.
Nga ana tjetër një apartament prej 47 metra katror në Tiranë në emër të Aldo Klosit dhe Altin Klosit, është bllokuar nga “Fondi Besa” dhe “Credins Bank”.
Njëherësh dhe një pasuri tjetër prej 50 metra apartament në Tiranë në emër të Alda Klosit, vëllait të saj Leonard Cikos dhe Vangjeli Cikos, është vendosur sekuestro prenventive nga përmbarimi EPSA.
Mes pasurive të deklaruara janë dhe të ardhurat 300 mijë lekë në muaj, nga qëraja i një ambjenti.
Pavarësisht kredive të mara dhe borxheve të deklaruara, Alda Klosi dhe Altin Klosi dalin pronarë në 2021 me kontrata dhurimi të dy apartamenteve në plazhin e Shëngjinit të Lezhës.
Gjithashtu dy trualle prej 216 dhe 160 metra katror i familjes Ciko, ku pronare është dhe Alda Klosi alias Ciko, i është dhënë për ndërtim kompanisë “2B Construction Grup” që administrohet nga Uljan Kala dhe Dorina Kala.
Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
