Ishte i arrestuar për incineratorin e Fierit, ndërron jetë në QSUT Enver Sheshi

Një prej të arrestuarve për aferën e incineratorëve ka ndërruar jetë në QSUT.

Burimet kanë bërë të ditur se Enver Sheshi është dërguar në spital pas problemeve të shfaqur në zemër.

Mësohet se ai ka shkuar i pajetë në spital, por sërish mjekët kanë tentuar për rreth 45 minuta për ta rikthyer në jetë, por 59-vjeçari nuk ka reaguar.

Sheshi u akuzua si përfaqësues i kompanisë "Leli 17" që ishte mes subjekteve të dyshuara se kishin kryer punime fiktive në këmbim të shumave të parave në marrëveshje me incineratorin e fierit.

Fillimisht emri i tij u zbulua pas denoncimeve të LSI, ndërsa SPAK vendosi arrestimin pas mbylljes së hetimeve për këtë koncesion.

Sipas deklaratave të Monika Kryemadhit subjekti i drejtuar prej tij ka përfituar shumën prej 42 milionë e 937 mijë lekëve me punime që sipas kësaj force politike nuk janë kryer asnjëherë.

Avokati i tij në seancën e 18 nëntorit kërkuan një masë më të lehtë deri në përfundimin e procesit gjyqësor, çka u refuzua.

Ai qëndronte në qelinë e burgut 313 ndërsa ndërroi jetë dje vetëm një orë pasi ishte dërguar në spital.

Sheshi u akuzua së bashku me 10 persona të tjerë në nëntor të vitit që lamë pas, prej të cilëve u mor masa e arrestit me burg për 5 persona, një tjetër u la të qëndrojë i izoluar në banesë.

Po ashtu për këtë dosje hetimore janë shpallur në kërkim edhe 5 persona të tjerë.