“Gomat që po vrasin”, plagoset rëndë polici nga shpërthimi i gomës së kamionit që kishte bllokuar rrugën në Dibër
Tonin Tosku, efektiv policie i qarkullimit rrugor në Dibër ka mbetur i plagosur si pasojë e shpërthimit të një prej gomave të një mjeti të tonazhit të rëndë. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ai është transportuar me helikopter në Spitalin e Traumës për të marrë edhe ndihmë më të specilizuar mjekësore.
Efektivi i policisë së qarkullimit rrugor, Tonin Tosku, ka marrë lëndime të shumta trupore si pasojë e shpërthimit të një gome të mjetit të tonazhit të rëndë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në vëndin e quajtur Qenok, në aksin rrugor Maqellarë-Peshkopi.
Sipas informacioneve, një mjet i tonazhit të rëndë ka pësuar defekt në rrugë duke paralizuar të gjithë segmetin rrugor.
Me qëllim hapjen e këtij aksi, efektivi i policisë Tonin Tosku ka shkuar pranë vendit të ngjarjes, por për një moment goma e mjetit të tonazhit pa plasur duke e dëmtuar në dy gjymtyrët e poshtme punonjësin e policisë.
Polici Tosku fillmisht është dërguar në spitalin e Dibrës, por për shkak të gjendjes së rënduar ai është trasportuar më helikopter drejt Tiranës.
Ky është rasti i dytë në 24 orë që nga shpërthimi i gomave të kamionëve ka persona të lënduar.
Kujtojmë se një ngjarje e ngjashme dhe e rëndë ndodhi edhe mëngjesin e së premtes në një servis në superstradën Lezhë-Milot.
Goma e një kamioni shpërtheu teksa një gomist po e frynte dhe si pasojë 53-vjeçari Milloshi humbi jetën.

