Incineratori i Fierit, SPAK çon dosjen për gjykim. Merren të pandehur Lefter Koka, Alqi Bllako, Arben Dervishaj e 18 të tjerë
SPAK dërgoi në gjykatë dosjen e dytë të incineratorëve, duke akuzuar 21 persona mes të cilëve edhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish deputetin Alqi Bllako. I pandehur është edhe biznesmeni Klodian Zoto dhe drejtuesit e incineratorit të Tiranës. Përveç shkeljeve ligjore me pagesat nga buxheti i shtetit dhe me shpronësimin e tokës, SPAK ka evidentuar përfitime direkte financiare nga ish ministri Lefter Koka dhe Alqi Bllako. Një tjetër fakt penal i evidentuarë është skema mashtruese e zbatuar nga Klodian Zoto me përfitimin e TVSH-së.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, biznesmeni Klodian Zoto dhe 18 të akuzuar të tjerë do të gjykohen nga Gjykata e Posaçme për aferën e Incineratorit të Fierit.
Zyrtarët e pandehur akuzohen për korrupsion e shpërdorim detyre pasi kanë përfituar shuma monetare nga Klodian Zoto dhe kanë shkelur ligjet.
SPAK ka dërguar në gjyq dosjen për këtë çështje me 21 të pandehur ndërsa nën akuzë janë vendosur edhe kompanitë e përfshira në shkelje dhe bizneset e Klodian Zotos.
Abuzimet sipas SPAK, kanë ndodhur gjatë zbatimit të kontratës së Ministrisë së Mjedisit me shoqërinë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., me vlerë 32.8 milionë euro.
Shpronësimi i tokës ku është vendosur incineratori është kryer me veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit, Pëllumb Abeshi në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që prona është “tokë arë”.
Mbi këtë bazë është bërë shpronësimi në shumën 46.2 milionë lekë me dëm ekonomik në buxhetin e shtetit 16.2 milionë lekë. Nga hetimet ka rezultuar se shoqëria që ka përfituar koncesionin dhe shoqëria që ka zbatuar punimet kanë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.
Vlera e përfituar në mënyrë të paligjshme llogaritet në shumën 146 milionë lekë, të të cilat përbëjnë përfitime të parregullta që i janë dhënë të pandehurit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., në procedurën e dhënies së koncesionit.
Klodian Zoto, në cilësinë e aksionerit dhe Arenc Myrtezani dhe Loran Dusha, në cilësinë e administratorit kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave.
Ish sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën 14,9 milionë lekë në trajtën e pagës së dhënë babait të tij, Edmond Bllako, duke e paraqitur si i punësuar “Drejtor Kantieri” tek shoqëria koncesionare e ndërtimit të Inceneratorit të Tiranës me pagë 6 mijë euro në muaj për periudhën tetor 2018 deri në janar 2020.
Pagesat janë kaluar në mënyrë fiktive nga të pandehurit Giuseppe Ciaffaglione dhe Arjola Kodra, ndërkohë që rezulton e provuar se këto pagesa janë përfitime të parregullta për ish deputetin Alqi Bllako.
Ky i fundit bashkë me arkitektin e ndërtuesin Arben Dervishaj dhe anëtaren e komisionit të koncesionit Etleva Kondi, kanë marrë përfitime të parregullta nga Klodian Zoto, me pagesën e udhëtimeve private për jashtë shtetit, biletës së avionit, qëndrimit në hotel, dhe pagesën e biletës së ndeshjes së futbollit në një stadium në Itali.
Kompanitë përfituese të koncesionit kanë organizuar dhe vënë në funksionim skemat mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar ku nga kreditimi i TVSH-së nëpërmjet faturimeve fiktive, i është shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit, në vlerën totale 59,9 milionë lekë.
Në fazën e hetimit gjykata me kërkesë të prokurorisë ka vendosr “sekuestro preventive” mbi pasuritë e të pandehurve Lefter Koka, me vlerë 146 mln leke, Alqi Bllakos me vlerë 14 milionë lekë dhe Klodian Zoto, me qëllim kërkimin e konfiskimit të tyre.
Po këstu janë vënë në sekuestro pasuritë e “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, “Integrated Technology Services” sh.p.k
Njoftim për shtyp
Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me datë 19.12.2022 ka paraqitur kërkesën për gjykimin e çështjes penale nr.187 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:
Lefter Koka, Ish Ministër i Mjedisit, i akuzuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, parashikuara nga nenet 248, 25, 260 të Kodit Penal, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, gërmat “a”dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Alqi Bllako, Ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, akuzuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”( dy herë), parashikuara nga nenet 248, 25, 260 të Kodit Penal.
Pëllumb Abeshi, Sabina Cenameri, Florjan Muçaj, Azem Shateri, Erjon Murataj, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal.
Etleva Kondi, akuzuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 248- 25, 259 i Kodit Penal.
Arben Dervishaj, akuzuar se për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuara nga nenet 248 dhe 259 të Kodit Penal.
Klodian Zoto, akuzuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë të shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, në bashkëpunim, (dy herë), “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendor”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 245 – 25 (tre here), 244, 143/3 – 25, 144/a -25 i Kodit Penal, si dhe për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, gërmat “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Arenc Myrtezani, akuzuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, në bashkëpunim , “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 – 25, 143/3 e 25, 144/a e 25 të Kodit Penal, si dhe për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287, gërmat “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Loran Dusha, akuzuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror”, në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245, 25 dhe 287 paragrafi 1, gërmat “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Giuseppe Ciaffaglione, Arjola Kodra, akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 e 25 i Kodit Penal.
Arbër Denizi, Juri Ymeraj, Silvestër Driza, akuzuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, gërmat “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Regan Merdani, Robert Shabani, Enver Sheshi, Gentian Zifla, akuzuar për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 144/a dhe 25 i Kodit Penal.
Personat juridik: “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.,“Integrated Technology Service” sh.p.k., akuzuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25, 143/3 e 25 i Kodit Penal, si dhe për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, gërmat (a) dhe (b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.
Personat juridik: “Sili” sh.p.k, “P.Y” sh.p.k, “Pivot 04” sh.p.k, akuzuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, gërmat “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Personat juridik: “Best Services”sh.p.k, “Frogy 03”sh.p.k, “General Servis”sh.p.k, “Itneg” sh.p.k, “Leli-17” sh.p.k, “Pupa Services” sh.p.k”, “RSI & T Group”sh.p.k, “Froggy”sh.p.k, akuzuar për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 144/a e 25 i Kodit Penal.
Pas kërkesës së bërë nga organi procedues, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.134, datë 28.03.2022, ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për personin juridik “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, me Nipt L62205045F, me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.
Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për personin juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k, me Nipt L02302032C, me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.
Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit Lefter Koka, nr. 26/212/ND-34, Vol 51, Fq.179, ZK.8512, lloji “Njësi”, me sipërfaqe 1140 m2, nr.26/212/ND-N-4, Vol.49, Fq.58, ZK.8512, lloji i pasurisë “Njësi”, me sipërfaqe 789 m2, nr.26/212/ND-N-2, Vol.49, Fq.56, ZK.8512, lloji i pasurisë “Njësi”, me sipërfaqe 789 m2, nr.26/212/ND-N-35, Vol.51, Fq.180, ZK.8512, lloji i pasurisë “Njësi”, me sipërfaqe 626.8 m2. Këto pasuri ndodhen në objektin “Pistë në det”, me një vlerë ekuivalente që përmbush vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 146,083,071 (njëqind e dyzet e gjashtë milion e tetëtëdhjetë e tre mijë e shtatëdhjetë e një) lekë.
Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit Edmond Bllako, me nr.2/373+1-77, Vol.4, Fq.84, ZK.8280, lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 99.48 m2, me adresë: Rruga Elbasanit, Shk.1, K.11, Ap.77, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.
