SPAK kopsit dosjen për incineratorin e Fierit, 21 në gjyq. Dëmi 4 milionë euro me punë të pabëra
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti i PS-së Alqi Bllako dhe 19 persona të tjerë zyrtarë dhe biznesmenë, janë dërguar në gjyq nga SPAK për dosjen e abuzimeve me incineratorin e Fierit. Hetimet gati 3-vjeçare kanë evidentuar një dëm prej 4 milionë eurosh me pagesa për punë të pa kryera dhe rreth 60 milionë lekë dëm me skemën mashtruese të rimbursimit të TVSH-së të realizuar nga bosët e incineratorëve përmes blerjeve fiktive.
Prokuroria e Posaçme dërgon në gjykatë dosjen e dytë për skandalin e incineratorëve, kësaj radhe për episodet e abuzimeve në qytetin e Fierit.
Të akuzuarit kryesorë të kësaj dosje janë ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish deputeti i PS Alqi Bllako, si dhe punonjës të administratës dhe biznesmenë. Pas përfundimit të hetimeve, SPAK ka nisur njoftimin e akuzave për 21 të pandehurit e kësaj çështje.
Në mënyrë të përmbledhur prokuroria ka evidentuar se si pasojë e veprimeve të paligjshme të zyrtarëve e punonjësve të administratës, 4 milionë euro janë dhënë për inceneratorin e Fierit për punë që nuk janë kryer duke vënë në jetë një skemë mashtrimi me dëm rreth 60 milionë lekë mëson Ora News.
Në kuadër të hetimeve për incineratorin e elbasanit, spak kërkoi në gjykatë 11 urdhër-arreste të reja, ndërsa GJKKO vendosi ‘arrest në burg’ për dhjetë persona dhe masën arrest shtëpie ndaj një të pandehuri.
Më 16 nentor 2022 SPAK firmosi 11 urdhërarreste lidhur me aferen e incineratorit të Fierit, dhe zbardhi abuzimet me fatura fiktive në vlerën 4 milionë euro.
Masat e sigurisë u ekzeëkutuan pjesërisht pasi pesë nga të akuzuarit rezultojnë se janë larguar jashtë Shqipërisë.
Pesë personat e arrestuar , Arben Dervishaj, Regan Merdani, Gentian Zifla, Robert Shabani dhe Enver Sheshi janë në "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.
Arkitekti Arben Dervishaj, mbikëqyrës i punimeve të inceneratorit të Fierit akuzohet se ka miratuar dhe më pas dorëzuar në institucionet shtetërore raportet për punime fiktive të shoqërisë, për shërbime që nuk janë kryer. Sipas dosjes së SPAK, Arben Dervishaj ka marrë përfitime të parregullta nga Klodian Zoto, aksioner kryesor i inceneratorit, përfitime të udhëtimeve të tij private, biletave avioni, qëndrimet në hotele dhe të biletave të ndeshjeve
Ndërsa janë shpallur në kërkim Arbër Denizi, Juri Ymeraj, Silvester Dreza, Luran Dusha, Arjola Kodra dhe Giuseppe Ciaffaglione.
SPAK ka bërë të ditur se Klodian Zoto, me bashkëpunëtorë e tij kanë krijuar skema mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar.
Për tia arritur këtij qëllimi, shoqëria ka realizuar blerje fiktive nga kompanitë e personave të përfshirë në vlerë totale prej 359.4 milionë lekë dhe dëmi i shkaktuar përmes TVSH-së në buxhetin e shtetit është 60 milionë lekë.
Të akuzuar në këtë dosje janë edhe ish-ministri u mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti socialist Alqi Bllako.
E akuzuar për këtë çështje është edhe ish anëtarja e Komisionit të Ofertave Etleva Kondi, e cila rezulton se ka përfituar bileta avioni dhe pagesë hoteli në Itali nga bosët e incineratorëve.
Lexoni dhe: Klodian Zoto pagoi avionin dhe hotelin në Romë për anëtaren e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave e vajzën e saj
Mes emrave për të cilet prokuroria ka kërkuar masën "arrest me burg" janë edhe dy persona që kanë lidhje edhe me incineratorin e Tiranës. Behet fjalë për administratoren Arjola Kodra dhe italianin Giuseppe Ciaffaglione.
Pas përfundimit të hetimeve të SPAK, pritet qëndrimi i avokatëve dhe më pas dosja do të dorëzohet në GJKKO. Gjykata do të vlerësojë nëse dosja është e plotë me elementët për të kaluar në gjykim apo nëse ka nevojë për tu kthyer në prokurori për plotësim të hetimeve.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.


