Të rinjtë “i frikëson” altari, psikologët: Po preferohet bashkëjetesa. Bota po shkon drejt individualizimit

Numri i martesave në vendin tonë ka rënë ndjeshëm kjo sipas raportit të INSTAT. Për psikologët kjo ka ardhur dhe si pasojë e zhvillimit të shoqërisë por dhe se të rinjtë preferojnë më shumë që të bashkëjetojnë.

Shqiptarët po martohen gjithnjë e më pak kjo dhe sipas të dhënave të fundit të INSTAT ku vetëm gjatë vitit 2021 u lidhën gjithsej 19.7 mijë martesa në të gjithë vendin.

Për psikologen Anxhela Peza numri i ulët i martesave vjen si pasojë e zhvillimit të shoqërisë dhe bashkëjetesës.

“Sigurisht që të rinjtë sot fokusohen tek zhvillimi individual, tek karriera e tyre, tek profesioni për të pasur më shumë të ardhura. Ndoshta martesa del në një plan të dytë. Të mos harrojmë që ne kemi shumë kohë që jetojmë me pikëpamje më moderne dhe bashkëkohore, dhe ajo që aplikohet më shumë nga çiftet është pikërisht bashkëjetesa”, shprehet psikologia.

Peza thotë se kjo risi po e çon botën drejt individualizimit

“Ka pasojat që kjo po e çon drejt individualizimit: pra, tek të qenit vetëm, të funksionuarit vetëm, për t’ia dalë mbanë vetëm pa pasur nevojën e një bashkëpunimi, pa pasur nevojën e një marrëdhenieje të një partneri, qoftë këtu për të ndërtuar një jetë së bashku, qoftë edhe nevoja për të ndërtuar një familje së bashku”, shprehet Peza.

Sipas INSTAT, numri i lidhjeve me kurorë në 2021 ishte 12% më i ulët se në 2019-n dhe 15% më pak se në 2018-n. Me përjashtim të vitit të pandemisë, 2021-i është periudha me martesat më të ulëta pas viteve 90.  Sipas INSTAT, në kryeqytet në 2021-n u shënuan 5.8 martesa për 1 mijë banorë, nga 7 që është koeficienti për të gjithë vitin.

Pas Tiranës, për numrin më të ulët të martesave renditen Vlora (6.1) Korça (6.2), Gjirokastra (6.7), që e kanë treguesin nën mesataren kombëtare ndërsa rekordin e martesave e mban Lezha (10.4) e ndjekur nga Berati dhe Dibra me nga 8.1.