Vodhën 15 mijë lekë në një dyqan ushqimoresh në Durrës, prangosen 2 hajdutët

Policia e Durrësit ka mundur që të zbardhë vjedhjen nën kërcënimin e armës të ndodhur mbrëmjen e datës 06.01.2023, në lagjen nr. 15.

Policia ka vënë pranga 2 autorët e dyshuar të cilët morën xhiron ditore të një biznesi ushqimoresh në këtë qytet.

Po ashtu janë sekuestruar automjeti dhe veshjet që përdorën këta shtetas, gjatë kryerjes së vjedhjes.

Të dy shtetasit e arrestuar, të dënuar më parë për vjedhje dhe për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas njoftimit të marrë mbrëmjen e datës 06.01.2023, për një rast vjedhjeje të ndodhur në një biznes (dyqan me produkte ushqimore), në lagjen nr. 15, Durrës, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vjedhjeje.

Bazuar në provat e siguruara falë reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër në kuadër të operacionit policor “Step by step”, u bë identifikimi dhe arrestimi i shtetasve: O. M., 34 vjeç, banues në lagjen nr. 16, Durrës, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve; E. Sh., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 13 Durrës, i dënuar më parë për vjedhje.” – njofton policia.

Nga veprimet hetimore është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i autorësisë edhe për dy vjedhje të ndodhura më parë, të kryera nga këta dy shtetas, konkretisht:

- Më datë 19.11.2022, në Arapaj, Durrës, këta shtetas dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetases E. S. një shumë parash;

- Më datë  27.12.2022, në lagjen nr. 6, në Durrës, dyshohet se kanë vjedhur sende me vlerë në banesën e shtetasit B. H. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.