E mori përgjegjësinë e fëmijës në momentin e fundit, ja çfarë thotë mjeku për nënën që mbyti foshnjen
Një ngjarje në përmasat e horrorit ka ndodhur në Shkodër ku një grua 32-vjeçare është arrestuar në Shkodër për vrasjen e foshnjes së saj. Drejtori i maternitetit tha se nëna e foshnjes nuk kishte deklaruar atësinë e fëmijës, ndërsa në datën 4 janar kishte dalë nga spitali bashkë me djalin e porsalindur. Sipas mjekëve, Orjana Gremi ishte kontrolluar nga psikologia e cila kishte konfirmuar gjendjen e rregullt mendore të nënës së fëmijës.
Një ngjarje e përmasave horror është zbuluar në Shkodër ku nëna ka vrarë foshnjen e saj.
Orjana Gremi, 32-vjeçe dyshohet se ka hedhur në lumin Kir foshnjën e sapolindur ku si pasojë fëmija ka ndërruar jetë edhe pse kishte lindur plotësisht i shëndetshëm.
Drejtori i maternitetit Shkodër, Senad Hallunaj, tha se në momentin e paraqitjes në spital Gremi nuk kishte pranuar të plotësonte ateësinë e fëmijës në dokumente.
Më pas, ajo kishte kërkuar që foshnja si dorëzohej shtëpisë së fëmijës, por më 4 janar kishte ndryshuar mendim.
Hallunaj: Zonja ka ardhur me datë 30 është shtruar, ka qenë lindja e parë dhe është paraqitur në shërbimin tonë. Janë kryer të gjithë procedurat. Në pranim është një filtër që ne regjistrojmë atësinë e fëmijës, zonja ka refuzuar ta shkruajë atësinë e fëmijës.
Që këtu ka filluar vëzhgimi më i afërt rreth saj sepse është një nënë që refuzon të regjistrojë atësinë. Ishte një lindje normale, pa probleme, mashkull 3 kg e 250 gram me datë 30 dhjetor, ora 11:40. Pastaj zonja ka shprehur dëshirën për ta dorëzuar në shtëpinë e foshnjes.
Duke qenë se ishte data 31dhjetor kemi njoftuar drejtorinë e shtëpisë së foshnjes për të nisur procedurat. Zonja ka punuar në një ndërmarrje të këpucëve. Kanë ardhur disa shoqe ta shikojnë dhe i kanë sjellë rroba dhe dhurata.
Me 4 janar kanë filluar procedurat për tu transferuar në shtëpinë e foshnjes, zonja ka refuzuar dhe ka nënshkruar një deklaratë që merr përsipër fëmijën në prani dhe të psikologes. Zonja ka dalë nga materniteti dhe nuk kemi pasur kontakt më tej. Vetëm kur e morëm vesh mbrëmë që zonja ka kryer një akt të tillë.
Pasi ka tërhequr foshnjen nga spitali, 32-vjeçarja dyshohet se e ka hedhur atë në lumë.
Trupi i pajetë i bebes u gjet mëngjesin e së shtunës në vendin e quajtur Postribë, ndërsa nëna 32-vjeçare u shoqërua e më pas u arrestua me akuzën e vrasjes.
Paraprakisht mendohet se 32-vjeçarja e ka hedhur foshnjën në lumë me datën 5 janar, një ditë pasi kishte lënë spitalin.
Drejtori i maternitetit Shkodër, thotë se për këtë rast janë zbatuar protokollet dhe se psikologia kishte konfirmuar gjendjen e përgjegjshme të nënës së foshnjes.
Hallunaj: Nuk ka probleme të shëndetit mendor, vlerësuar nga mjekët dhe psikologia e maternitetit. Në maternitet ka ardhur vetëm dhe nuk është paraqit asnjë familjar. Kemi pyetur në gjendje civile dhe rezulton se është e vetme dhe banon në Golem.
Policia është njoftuar për ngjarjen nga misionarët e kishës katolike.
Ende nuk dihet arsyet që mund ta kenë çuar Orjana Gremin nga fshati Myselim, banuese në Golem, të kryente aktin e rëndë.
Nga deklarimet e para në polici ajo nuk ka shfaqur pendesë dhe ka pretenduar se e ka kryer aktin pasi nuk kishte mundësi ta mbante.
Policia e ka referuar çështjen në prokurori me akuzën e “vrasjes me dashje”, vepër e cila sipas kodit penal dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg, ndërsa vrasja e foshnjës e kryer me dashje nga nëna, menjëherë pas lindjes, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
