Shpërthimi i gomës së kamionit në Dibër, shoqërohet në polici shoferi

Plasja e gomës së mjetit të tonazhit të rëndë sot në afërsi të qytetit të Peshkopisë ka ndodhur në mënyrë të menjëhershme jo si në rastin e Lezhës që ka qenë duke e fryrë, bëjnë me dije burime nga policia e Dibrës.

Grupi hetimor që shkoi në vendin e ngjarjes po heton tonazhin e mjetit, i cili dyshohet të jetë mbi normën e lejuar.

Po ashtu, mësohet se është shoqëruar për në komisariatin e Policisë Dibër, drejtuesi i automjetit të tonazhit të rëndë i cili po transportonte pllaka për shtrim trotuari.

Ngjarja e rëndë u regjistrua këtë të shtunë në afërsi të qytetit të Peshkopisë.

Një efektiv i policisë rrugore mbeti i plagosur rëndë teksa kryente detyrën duke drejtuar trafikun e automjeteve pasi ishte bllokuar rruga.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14.00, në vendin e quajtur ‘Qenok’, ku një mjet i tonazhit të rëndë kamion kishte pësuar defekt duke bllokuar aksin rrugor.

Menjëherë patrulla e Policisë Rrugore ka shkuar në vendin e ngjarjes me qëllim menaxhimin dhe hapjen e trafikut për automjetet.

Gjatë momentit që punonjësi i Policisë Rrugore po rregullonte trafikun,  ka plasur njëra nga gomat e kamionit dhe është plagosur rëndë punonjësi i policisë rrugore shtetasi Tonin Tosku.

Punonjësi i Policisë është dërguar fillimisht në spitalin e Dibrës dhe  më pas me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë për shkak se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka dëmtuar të dy këmbët.