Kukës, 70 kg drogë në shasi, pranga rumunit, kishte destinacion vendet e Bashkimit Evropian
Në shasi, në një hapësirë të përshtatur enkas, e kishte fshehur lëndën narkotike një shtetas rumun po tentativa për ta trafikuar jashtë kufijve të Shqipërisë dështoi.
70 kilogram kanabis u zbuluan në pjesën e poshtme të mjetit pas një operacioni të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Morinës.
Droga që kishte destinacion vendet e Bashkimit Evropian u gjet në automjetin e drejtuar nga 48-vjeçari rumun me iniciale F.B.
Pas informacioneve të siguruara për një rast të tentativës për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike shërbimet e Policisë kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip "Benz".
Gjatë kontrollit u gjetën dhjetëra pako të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 70 kilogramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe me 2 aparate celulare.
Ndaj 48-vjeçarit rumun rëndon vepra penale “Trafikimi i narkotikëve” vijon hetimi i thelluar, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, si për identifikimin e kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.


