Bastiset banesa e Ervis Martinaj në Surrel, urdhëroi SPAK
Një nga banesat në pronësi të biznesmenit të lojërave të fatit Ervis Martinaj në periferi të Tiranës ëstë kontrolluar nga policia pasditen e të shtunës.
Forcat e policisë së shtetit mësohet se kanë ekzekutuar një urdhër kontrolli të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme SPAK, të konfirmuar edhe nga gjykata për bastisjen e ambienteve të vilës së blerë nga Martinaj vitin e fundit në zonën e Surrelit në rrugën drejt Dajtit.
Burime të hetimit thanë për Ora News se kontrolli është kryer në kuadër të hetimeve që prokuroria po kryen për dosjen “Plumbi i Artë” ku sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, Ervis Martinaj rezulton i përfshirë në disa ngjarje për të cilat u shpall në kërkim para se të denoncohej i zhdukur nga familja.
Forcat e rendit mësohet se kanë mbërritur në vilën e Martinajt dhe për rreth dy orë, kanë mbajtur të rethuar objektin duke kërkuar për prova dhe informacione.
Pasi kanë mbajtur procesverbal për sendet e sekuestruara efektivat e policisë janë larguar nga zona që ndodhet në afërsi të banesës së kryeministrit Edi Rama.
Burimet bënë me dije se nuk janë gjetur sende të jashtëligjshme ndërkohë që hetuesit nuk kanë komentuar natyrën e provave të sekuestruara gjatë kontrollit.
Ervis Martinaj u denoncua për humbjen e kontakteve nga familja më 9 gusht, ndërkohë që dy javë më vonë u arrestua polici Jeton lami.
Ai akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk arrestoi të kërkuarin po shërbeu si shofer i tij për të lëvizur në disa qytete përfshirë edhe udhëtimin drejt Durrësit më 7 gusht, kur është edhe gjurma e fundit e Ervis Martinajt.
Policia po heton në dy pista për zhdukjen e bosit të lojërave të fatit, duke përfshirë largimin me dëshirë dhe eleminimin e mundshëm fizik.
Në ditët e fundit të dhjetorit policia kontrolloi edhe banesën e Martinajt dhe dy xhaxhallarëve në Fushë Kuqe ku u gjetën armë zjarri, municione dhe uniforma e radio policie.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
