Festë dhe premio për vajzat e Vllaznisë së futbollit, bashkia planifikon edhe një stadium për kampionet

Pasi përmbyllën rrugëtimin e tyre mes 16 ekipeve më të mira të Europës, vajzat e Klubit të Futbollit Vllaznia, sëbashku me stafin drejtues, u pritën nga kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia. Ai i përgëzoi vajzat kuqeblu për lojën dhe frymën e grupit që treguan në kompeticionin e Uefa Women's Champions League, duke shënuar historinë e futbollit të femrave në Shqipëri.

Ndërsa ju dorëzoi titullin e “Mirënjohjes” në emër të bashkisë Shkodër, Spahia premtoi edhe një premio për ekipin e vajzave, duke shpërblyer kështu suksesin e treguar në këtë kompeticion.

Bardh Spahia:

“Mbyllën një rrugëtim por hapën një kapitull të ri për futbollin e femrave në Shqipëri. Kënaqësi të prisja në zyrë vajzat dhe stafin drejtues të ekipit Vllaznia, pas përfundimit të ballafaqimeve mes 16 ekipeve më të mira të Europës.

Një vlerësim mirënjohje, një premio për ta dhe me shpresën që brenda një kohe të shkurtër do të mbyllim edhe një projekt për një stadium që do të jetë në dispozicion të këtij ekipi dhe talenteve të reja që Shkodra i ka fatmirësisht të shumta.

Emri i Shkodrës, Vllaznisë dhe Shqipërisë u rendit mes më të mirave të Europës dhe për të gjithë ne ky është një nga promovimet më të bukura që i bëhet vendit, prandaj vetëm mirënjohje për këto vajza, stafin drejtues por edhe tifozerinë shkodrane që i mbështeti kudo. Jam besimplotë se vitet e ardhshme edhe më shumë suksese do të na japin këto vajza!”.

Alban Neziri, përgjegjës i Sektorit të Arsimit, Rinisë dhe Sportit në Bashkinë Shkodër u ndal edhe tek investimi i ri që pritet të nisë nën kujdesin e kryebashkiakut Spahia, një ministadium për ekipin e vajzave dhe jo vetëm.

Skuadra e Vllaznisë në futboll për femra ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar si ekipi i parë që u rendit mes 16 më të mirave të Europës