Kthen avionin në ajër, regjimi i Teheranit rikthen në Iran familjen e legjendës Ali Daei
Nga OraNews Përditësimi i fundit 26 Dhjetor 2022, 19:49
Irani vazhdon të ziejë nga protestat dhe në krah të njerëzve që po dalin në sheshe janë edhe shumë figura të njohura publike siç është rasti i legjendës së futbollit, Ali Daei.
Ish-kapiteni i Kombëtares së Iranit në vitet 2000-2006 është vënë nën presion të vazhdueshëm për faktin se nuk ka dalë në krah të qeverisë së Teheranit. Sipas gazetarit Kian Sharifi, autoritetet detyruan uljen e avionit të linjës Teheran-Dubai ku në bord ishin bashkëshortja dhe djali i Daeit.
Bëhet fjalë për fluturimin W563 të “Mahan Air”. Lajmi është bërë i ditur nga faqet opozitare që theksojnë se familjarëve të ish-sulmuesit u është ndaluar të largohen nga vendi, ndërsa për momentin nuk konsiderohen të arrestuar.
