Ish-shoku i skuadrës rrëfen Cristiano Ronaldon e panjohur
Cristiano Ronaldo në rrëfimin e një prej shokëve më të hershëm të karrierës së tij të gjatë. Bëhet fjalë për rumunin Marius Niculae, me të cilin në vitin 2001 talenti nga Madeira ka ndarë dhomën e zhveshjes të Sportingu i Lisbonës. Niculae me 43 ndeshje dhe 15 gola me fanellën e Rumanisë, bën një përshkrim të qartë të karakterit të CR7 që në moshën e adoleshencës.
“Nuk ishte një njeri shumë social. Përpiqesha gjithmonë ta afroja në tavolinë për të ngrënë me ne por ishte gjithmonë në botën e tij. Shkonte vetëm në palestër. Kur mbaronim shkonim të gjithë të hanim por ai nuk vinte asnjëherë”.
Në vijim ai flet edhe për aventurën e CR7 me kombëtaren e Portugalisë duke ngritur hije dyshimi për pritjen që i bëri skuadra pas intervistës te Piers Morgan.
“Pepe është i vetmi me të cilin kalon mirë. Kam parë disa foto të Fernandes që e ka evituar shpesh herë. Besoj se tani do të zgjedhë SHBA-në ose Al Nassr në Arabinë Saudite. Më pas, nga ajo që kam lexuar, mendoj së do t’i dedikohet Hollywood-it dhe kinematografisë”.
