Agjenti i Benzema sulmon Deschamps: Ishte gati por nuk e grumbulloi

Agjenti i Karim Benzema flet për herë të parë pas largimit të klientit të tij nga Kombëtarja Franceze për shkak të mospërfshirjes së tij në skuadër edhe pse ishte në gjendje optimale pas një dëmtimi që pësoi në fazën përgatitore.

Karim Djaziri e drejton gishtin e akuzës ndaj trajnerit Didier Deschamps, ndërsa jep prova konkrete se sulmuesi ishte gati për të zbritur në fushë që në fazën me eleminim direkt. Ai publikon për mediat një skaner të pjesës së dëmtuar muskulare, duke theksuar se Benzema e kishte kaluar plotësisht dëmtimin.

“U konsultova me tre specialistë të ndryshëm dhe që të gjithë më thanë që ai ishte gati. Benzema minimalisht ishte i gatshëm për t’u ulur në pankinë”, thekson agjenti i “Topit të Artë”.

Sulmuesi i Real Madrid u përjashtua nga Franca në vitin 2015 pas një skandali shantazhi ndaj shokut të skuadrës, Mathieu Valbuena ndërsa gjatë vitit 2021 ai u grumbullua sërish por skuadra nuk e priti asnjëherë mirë këtë vendim.