“Gjoba skandaloze, postblloqe policie pas ferre”, Gështenja: Menaxhimi i trafikut në Shqipëri modeli më i keq
Lefter Gështenja deputet i PD në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj tha se “Mënyra si menaxhohet trafiku në Shqipëri është modeli më i keq jo vetëm në Europë por dhe në Ballkan”.
Sipas tij policia duhet të jetë në lëvizje që të identifikojë shkeljet dhe të ndëshkojë.
Deputeti thotë se duhet “Të respektohet ligji por me kontrolle dhe mënyra bashkëkohore jo me mënyra që ju ka kaluar koha”.
Lefter Gështenja: Në Shqipëri është skandaloze, është gjashtëfishi i pagës minimale gjoba maksimale. Ne jemi për penalizime por jo në këto lloj formash. Mënyra si menaxhohet trafiku në Shqipëri është modeli më i keq jo vetëm në Europë por dhe në Ballkan. Në asnjë vend nuk shohim postblloqe të policisë. Dje isha në Elbasan, në Përrenjas dhe Librazhd e njëjta situatë postblloqe policie të stacionuara. Por policia duhet të jetë në lëvizje që të identifikojë shkeljet dhe të ndëshkojë. Dhe jo të dalësh postbllok pas ferre, të stacionosh dhe të ndalosh me dhe pa arsye. Ky nuk është modeli i duhur. Nga Tirana në Devoll janë rreth 13 postblloqe policie.
“Këtë kemi kërkuar të kemi kontroll të standardeve europiane. Të respektohet ligji por me kontrolle dhe mënyra bashkëkohore jo me mënyra që ju ka kaluar koha.”, tha ai.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

