Pa bukë prej 3 ditësh, askush nuk u përgjigjet personave me aftësi të kufizuar në Elbasan për KEMP-in

Për të tretën ditë me radhë pesonat me aftësi të kufizuar në Elbasan, janë duke zhvilluar grevën e urisë për shkak të pagesave të KEMPIT që ata thonë se u janë përgjysmuar. Grevistët janë shprehur se asnjë përfaqësues i institucioneve nuk ka shkaur tek ta për 3 ditë me radhë, ndërsa thonë se nëse nuk ka zgjidhje situata, ata do të kalojnë edhe festat në grevë.

"I bëj thirrje Qeverisë, Kryeministrit, Ministres së Shëndetësisë ta kthejnë kokën mbrapa, një herë nga këta, se pjesë e shqiptarëve janë dhe këta.”

Me këtë thirrje drejtuar institucioneve, personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët e tyre, hynë në ditën e tretë të grevës së urisë.

Edhe Krishtlinjen e kaluan në grevë, ndërsa thanë se gjendja shëndetësore e tyre po përkeqësohet.

 “Unë jam i besimit Ortodoks, mbrëmë duhet të isha edhe unë pranë familjes tu bëja qejfin fëmijëve të mi, tu mbushja tryezën si ditë festash. Une gjendem këtu, jo pranë familjes,” tha ai.

Ata u shprehën se disa pagesa për KEMP-in janë hequr, çka u ka vështirësuar më tej jetesën e kufizuar, të tyre.

 “Ne e dimë sa vuajmë me këta fëmijë që i kemi mbi kurriz, dhe tani të hiqet kjo, duket shumë e padrejtë.

U detyrova të hy në grevë se ma kanë çuar kategorinë 10 mijë lekë. 10mijë lekë nuk më dalin as për ilaçe, as për ujë e drita, apo të ushqehem, jo të mbaj familjen,” thanë ata.

Përfaqësues të tyre thanë se do ta vijojnë grevën e tyre deri në një zgjidhje të këtij problemi, ndërsa deklaruan se asnjë institucion nuk ka shkuar të interesohet për ta.

 “Deri tani s’kemi marrë asnjë lloj reagimi, fare. Siç i hyjmë kësaj pune do i qëndrojmë deri në fund, nuk do i ndahemi deri sa te shkojë pika mbi 'i',” thanë ata.

Që nga e shtuna disa persona me aftësi të kufizuar në Elabasan hynë në grevë urie, ndërsa as Ministria e Shëndetësisë e as Shërbimi Social Shtetëror nuk ka thënë asnjë fjalë për protestën e kësaj kategorie.