Katër të plagosur për 500 euro, dasma në Kamëz u kthye në përleshje mes familjeve
Konflikti me thika mbrëmjen e të dielës në bathore, ku mbetën të plagosur katër persona, ka pasur si motiv një borxh prej 500 eurosh. Fatjon Luca ka kërkuar kthimin e shumës teksa Hafuz Troci po dilte nga një dasmë. Pasi nuk kanë arritur të merren vesh, i riu ka qëllkuar me thikë borxhliun ndërsa në konflikt ndërhynë edhe të afërmit duke e kthyer eventin familjar në vendngjarjen e plagosjes së katër personave.
Konflikti për një borxh të pashlyer, është bërë shkak për plagosjen më thikë të 4 personave mbrëmjen e të dielës në një dasmë në zonën e Bathores në Kamëz.
Menjëherë pas përfundimit të ceremonisë, teksa dasmorët po linin ambientet e lokalit, aty është shfaqur Fatjon Luca i cili sipas policisë, banon në këtë zonë.
Referuar hetimeve të policisë, ai kishte dhënë një borxh prej 500 eurosh Hafuz Trocit, ku ky i fundit i kishte premtuar se do t`ia kthente shumën. Për shkak se kjo nuk kishte ndodhur, Fatjon Luca ka kërkuar kthimin e borxhit ndërkohë që Troci ka qenë nën shoqërinë e familjarëve të tij. Diskutimi për borxhin është kthyer në konflikt verbal mes palëve, ndërsa autori i ngjarjes ka nxjerrë nga xhepi një thikë dhe është afruar duke e qëlluar në pjesën e kraharorit Hafuz Trocin. Në konflikt kanë ndërhyrë më pas edhe familjarë të dy personave ku si pasojë e përleshjes është lënduar edhe një 15 vjeçar, i cili ka marrë disa dëmtime të vogla të shkaktuara nga mjeti prerës. Një ditë pas këtij sherri policia ia ka vënë prangat Fatjon Lucës e ndërsa po e heton në gjendje të lirë edhe të plagosurin tjetër, Hafuz Troci.
